Birra u derdh, por edhe grushtat, përplasje mes të dehurve dhe Policisë në mes të natës
- Korca Boom
- 2 days ago
- 1 min read
Më datë 18.08.2025, rreth orës 01:00, shërbimet e Policisë në Korçë morën njoftim për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 17, në zonën ku po zhvillohej Festa e Birrës. Policia ndërhyri menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Gjatë veprimeve të para hetimore, u bë e mundur identifikimi dhe shoqërimi i tre personave të përfshirë në konflikt: A. M., 51 vjeç, S. M., 23 vjeç dhe E. B., 40 vjeç, të gjithë banues në Zëmblak. Gjatë shoqërimit në komisariat, ata kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë.
Në përfundim të hetimeve të kryera nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë së Korçës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, tre shtetasit u arrestuan në flagrancë për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik dhe për plagosje të lehtë me dashje, kryer në bashkëpunim.
Gjatë shoqërimit të tyre, 7 persona të tjerë, miq të të arrestuarve, tentuan të pengojnë veprimet e Policisë. Ata janë: A. P., 21 vjeç, banues në Tiranë; A. P., 30 vjeç, banues në fshatin Kuç i Zi; B. H., 18 vjeç; D. M., 35 vjeç; G. B., 19 vjeç; L. M., 39 vjeç dhe Xh. H., 25 vjeç, banues në fshatin Zëmblak. Ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
“KORÇA BOOM”
