top of page

Mbushi makinën me karburant, por pagesa me euro e çoi në pranga

  • 1 day ago
  • 1 min read

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Përdorimi”, duke arrestuar një 24-vjeçar, i dyshuar për përdorimin e kartëmonedhave euro të falsifikuara për kryerjen e pagesave.


Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, nisën hetimet pas kallëzimit të bërë nga një pikë karburanti, ku dyshohej se një klient kishte paguar me kartëmonedha të falsifikuara.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, policia identifikoi, lokalizoi dhe arrestoi në flagrancë shtetasin M. Rr., 24 vjeç.


Nga hetimet paraprake rezulton se i riu kishte furnizuar automjetin me karburant në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, dhe kishte kryer pagesën me tre kartëmonedha prej 20 eurosh, të dyshuara të falsifikuara.


Policia dyshon se 24-vjeçari mund të ketë përdorur të njëjtën skemë edhe në raste të tjera, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të tij dhe për të zbuluar burimin e kartëmonedhave të falsifikuara.


Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“KORÇA BOOM”


bottom of page