top of page

Një p*umb brenda ambienteve të spitalit, 54-vjeçari procedohet penalisht

  • 3 hours ago
  • 1 min read

Shkrepje me armë brenda spitalit, procedohet 54-vjeçari dhe djali i tij shpallet në kërkim

Një incident me armë zjarri është regjistruar brenda ambienteve të Spitalit Rajonal të Lezhës, ku një 54-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë pasi dyshohet se ka shkaktuar një shkrepje të pavullnetshme.


Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi me inicialet G. N., 54 vjeç, kishte shkuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore. Gjatë qëndrimit në ambientet e spitalit, dyshohet se nga çanta e krahut që mbante me vete i ka rënë një armë zjarri, e dyshuar si pistoletë, duke shkaktuar një shkrepje aksidentale.


Pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore.


Në vijim të hetimeve, policia ka shpallur në kërkim djalin e 54-vjeçarit, një 18-vjeçar, i dyshuar se ka fshehur armën e zjarrit me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

“KORÇA BOOM”


bottom of page