top of page

Bislim Ahmetaj përshëndet dorëheqjen e Gjekmarkajt dhe kërkon largimin edhe të Flamur Nokës dhe Gazment Bardhit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 minutes ago
  • 2 min read

Agron Gjekmarkaj i ka dorëzuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dorëheqjen nga funksioni i nënkryetarit të PD-së, por kjo dorëheqje është refuzuar mbrëmjen e sotme nga lideri i opozitës.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së Partisë Demokratike bëjnë me dije se Gjekmarkaj ka pranuar se firma e tij për Endri Shabanin, për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ishte një gabim. Në këtë kuadër, ai ka paraqitur dorëheqjen, por duke theksuar se ajo nuk ishte e parevokueshme dhe se vendimi përfundimtar i lihej në dorë kryetarit të partisë.


“Vendimi për ta pranuar ose jo dorëheqjen mbetet në kompetencën tuaj”, mësohet të ketë deklaruar Gjekmarkaj gjatë mbledhjes. Sali Berisha, nga ana e tij, ka vendosur të mos e pranojë dorëheqjen.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së PD-së, Bislim Ahmetaj, ka reaguar në rrjetet sociale, duke publikuar fjalën që mbajti në mbledhjen me dyer të mbyllura të selisë blu. Ai e ka përshëndetur dorëheqjen e Gjekmarkajt, por njëkohësisht ka kërkuar edhe dorëheqjen e Flamur Nokës dhe të Gazment Bardhit.


Në deklaratën e tij, Ahmetaj ka theksuar se drejtimi aktual i Partisë Demokratike është i çorganizuar dhe se prej muajsh në lidership ka anarki. Ai ka shtuar se Sekretari i Përgjithshëm dhe kreu i Grupit Parlamentar duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën e krijuar.


Sipas Ahmetajt, një nga arsyet kryesore për dorëheqjet është edhe dhënia e firmave për Endri Shabanin, të cilën ai e ka cilësuar si një veprim të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e Partisë Demokratike.

Zhvillimet brenda selisë blu pritet të vijojnë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo situatë do të sjellë ndryshime të mëtejshme në strukturat drejtuese të PD-së.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page