Denoncimi për dhunë në Korçë, Policia zbardh çfarë ndodhi në pikën e kontrollit
- 18 hours ago
- 2 min read
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka reaguar pas një denoncimi të publikuar në rrjetin social JOQ, ku një shtetase pretendonte se motra dhe kushërira e saj ishin ofenduar dhe dhunuar nga punonjës të Policisë gjatë një kontrolli rrugor.
Në reagimin zyrtar, Policia sqaron se ngjarja ka ndodhur më 3 shtator 2026, në dalje të qytetit të Korçës, ku ishte ngritur një pikë kontrolli me 11 punonjës policie, në kuadër të planit të masave për kontrollin e territorit dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të automjeteve është ndaluar një automjet tip “Mercedes-Benz”, me drejtuese shtetasen A. B. Gjatë kontrollit të saj dhe automjetit, janë gjetur 14 mijë euro.
Policia bën me dije se shtetasja A. B. ka qenë person nën hetim për veprën penale “Mashtrimi”. Ajo dhe një shtetase tjetër janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, ku, pas komunikimit me prokurorin e çështjes, ndaj A. B. ka nisur procedimi penal, ndërsa shuma prej 14 mijë eurosh është sekuestruar si provë materiale.
Në lidhje me pretendimet për dhunë dhe sjellje fyese, Policia mohon që punonjësit e pranishëm në pikën e kontrollit të kenë përdorur një sjellje të tillë. Sipas institucionit, kontakti me drejtuesen e automjetit është kryer nga një punonjëse policie dhe ishte pikërisht ajo që konstatoi shumën e parave në automjet.
Gjithashtu, DVP Korçë sqaron se punonjësi i Policisë i përmendur në denoncimin e publikuar në JOQ nuk ka qenë i pranishëm në pikën e kontrollit, por ka kryer vetëm veprime procedurale në ambientet e Drejtorisë.
“Sjellja dhe komunikimi i të gjithë punonjësve të Policisë të pranishëm në pikën e kontrollit kanë qenë konform etikës”, thuhet në reagimin e Policisë së Korçës.
Në përfundim, DVP Korçë thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke deklaruar se synon të ofrojë komunikim me etikë, respekt dhe përgjegjshmëri ligjore ndaj qytetarëve.
“KORÇA BOOM”
















