top of page

Deputetja e Korçës Romina Kuko apelon për shërbime të unifikuara dhe mbështetje familjare

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Dec 4, 2025
  • 2 min read

Të nderuar kolegë,

Dje, më 3 dhjetor, u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, një rast që na kujton detyrimin moral dhe institucional për t’u kujdesur për ata që shpesh kalojnë në heshtje, megjithëse sfidat e tyre janë të mëdha.


Në këtë kontekst, raportova projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit, i cili lehtëson aksesin në veprat e botuara për personat e verbër ose ata me vështirësi të mëdha në lexim. Ratifikimi i tij na integron në një rrjet ndërkombëtar, duke mundësuar që çdo fëmijë, student apo i rritur që nuk sheh të ketë libra në format të përshtatshëm dhe në kohë.


Sidoqoftë, realiteti tregon se sfidat fillojnë shumë përpara librit të aksesueshëm: mungesa e transportit, shkollat dhe institucionet jo të aksesueshme, rampa të pakta, shkallë që ndajnë nga sporteli publik, autobusa urbane të papërshtatshme. Historitë konkrete, si ajo e Joridës në Korçë që drejton një qendër për fëmijët me autizëm, tregojnë nevojën për mjete transporti dhe mbështetje në terren. Nga Kolonja vijnë shqetësime të ngjashme mbi familjet që kujdesen për të afërmit e tyre, të cilat nuk trajtohen ende si pjesë zyrtare e sistemit.

Nga ana tjetër, pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës mbetet e ulët, vetëm 18–20%, dhe shumë shkolla ende nuk janë plotësisht të aksesueshme. Vetëm 60% e tyre ofrojnë akses minimal fizik, ndërsa 40% mbeten pa rampa apo pajisje themelore.


Në këtë kuadër, është e domosdoshme që bashkitë të përdorin në mënyrë efektive fondet sociale për shërbime komunitare, qendra ditore, programe rehabilitimi dhe mbështetje familjare. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale duhet të sigurojë që buxheti i ardhshëm të reflektojë këto nevoja konkrete: transportin për fëmijët në zonat rurale, mbështetjen për familjet, aksesueshmërinë në shkolla dhe institucione, fuqizimin e qendrave ditore dhe monitorimin e fondeve.


Ratifikimi i Marrakeshit është një hap i rëndësishëm për aksesin në dije, por sfidat e tjera kërkojnë veprime konkrete dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit. Aksesueshmëria nuk është luks, por parakusht i dinjitetit qytetar.

Faleminderit!

"KORCA BOOM"


bottom of page