top of page

Detajet/ Sherri për motive xhelozie, si tentoi burri i dehur që të d*gjte gruan të gjallë me benzinë, 67-vjeçarja ishte me urdhër mbrojtjeje

  • 14 hours ago
  • 1 min read

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse është regjistruar në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës të bashkisë së Prrenjasit, ku një 69-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka tentuar të djegë me benzinë bashkëshorten e tij 67-vjeçare.


Sipas informacioneve paraprake, autori, i cili ndodhej në gjendje të dehur, fillimisht ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij, Minushe Danga. Më pas, ai i ka marrë me forcë telefonin celular dhe në kulmin e konfliktit, dyshohet se e ka lyer me benzinë dhe i ka vënë flakën.


Burime paraprake bëjnë me dije se shkak i ngjarjes mund të kenë qenë motive xhelozie, megjithatë rrethanat e plota po hetohen nga organet ligjzbatuese.


Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në banesën e çiftit të moshuar, të cilët jetonin vetëm, pasi djali i tyre ndodhet emigrant në Greqi. Sipas të dhënave të para, dhuna në familje kishte qenë e vazhdueshme prej kohësh dhe viktima kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit.


Menjëherë pas ngjarjes, 67-vjeçarja është transportuar mbrëmë drejt spitalit rajonal të Elbasanit, ku pasi mori ndihmën e nevojshme mjekësore u transportua për në repartin e djegieve në Tiranë. Paraprakisht, burime spitalore bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Policia ka ndërhyrë duke arrestuar autorin e dyshuar, Gani Danga, pas denoncimit të fqinjëve, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, që ka tronditur banorët e zonës. Autoritetet pritet të përcaktojnë edhe veprat penale që do t’i ngarkohen 69-vjeçarit pas përfundimit të hetimeve paraprake./ BalkanWeb

“KORÇA BOOM”


bottom of page