Devolli–Maliqi, derbi i vogël i prefekturës, prodhoi gjithçka të bukur në fushën e lojës
- Korca Boom
- 6 hours ago
- 1 min read
Devolli–Maliqi, derbi i vogël i prefekturës, prodhoi gjithçka të bukur në fushën e lojës. Një ndeshje me ritëm të lartë dhe dëshirë të madhe nga të dyja ekipet për të marrë tre pikët.
Vendasit u shfaqën më të qartë në pjesën e parë dhe arritën të zhbllokonin rezultatin falë golit të Cukos, pas një topi të ardhur mbi vijën e 16 metrave. Devolli e mbylli fraksionin e parë në avantazh, duke kontrolluar më mirë lojës
Me nisjen e pjesës së dytë, ishin sërish vendasit që gjetën rrugën e rrjetës. Kendezi krosoi saktë në zonë, ndërsa shtatlarti Kapllani u tregua shumë i saktë me kokë, duke dyfishuar shifrat.
Pas golit të dytë, Maliqi reagoi dhe mori më shumë iniciativa në lojë. Kjo përpjekje u shpërblye me golin e Ibrahim, i cili ngushtoi diferencën dhe riktheu emocionet në ndeshje.
Minutat e mbetura dhuruan raste për të dyja skuadrat. Maliqi kishte mundësinë e barazimit, ndërsa Devolli rrezikoi disa herë për golin e tretë. Megjithatë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare.
Ajo që u vu re ishte fakti se ndeshja u zhvillua në një klimë sportive dhe fair-play, larg tensioneve që zakonisht shoqërojnë duele të tilla.
Pas këtij takimi, të dyja skuadrat ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës në renditje. Maliqi mban vendin e pestë, ndërsa Devolli renditet i gjashti, me vetëm një pikë diferencë mes tyre, duke e mbyllur vitin me objektiva të qarta për vazhdimin e garës në vitin e ardhshëm.
"KORCA BOOM"



















