Dinamo humb betejën ligjore në Lozanë, pasoja të rënda financiare
- Korca Boom
- 1 day ago
- 2 min read
Dinamo e Tiranës e ka nisur vitin e ri 2026 me një lajm aspak pozitiv në aspektin financiar. Pas më shumë se dy vitesh betejë ligjore, ish-trajneri i bluve, Dritan Mehmeti, ka triumfuar ndaj klubit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke fituar të drejtën për të përfituar të gjithë vlerën e kontratës që i takonte për sezonin 2023/2024.
Mehmeti, i cili u largua nga Dinamo në mënyrë të njëanshme, e ka cilësuar këtë proces si një sfidë personale dhe profesionale, duke deklaruar më herët: “Kisha vendosur t’i sfidoja për dinjitetin tim”. Vendimi i CAS i ka dhënë plotësisht të drejtë trajnerit shqiptar.
Sezoni 2023/2024 nisi me shumë bujë për Blutë kryeqytetas, të cilët vendosën të besonin stolin e skuadrës tek një emër i njohur i futbollit italian, Gigi Di Biagio. Megjithatë, aventura me ish-lojtarin e famshëm nuk rezultoi e suksesshme. Dinamo e mbylli fazën e parë të kampionatit në fund të vitit 2023 në vendin e fundit të renditjes, duke zhgënjyer pritshmëritë e drejtuesve dhe tifozëve.
Në këtë situatë të vështirë, drejtuesit e klubit vendosën t’ia besonin skuadrën trajnerit të brendshëm dhe trajnerit të ekipeve zinxhir, Dritan Mehmetit, një emër që njihte shumë mirë realitetin e kampionatit shqiptar dhe ambientin e klubit.
Vendimi rezultoi i qëlluar. Nën drejtimin e Mehmetit, Dinamo arriti jo vetëm të shmangte zonën e rrezikshme të play-out-it, por e mbylli sezonin në vendin e 6-të, një sukses i konsiderueshëm duke parë situatën nga ku u nis skuadra.
Si pasojë e këtij renditjeje, kontrata e Mehmetit u rinovua automatikisht për sezonin 2024/2025, sipas klauzolave të parashikuara më herët. Megjithatë, në prapaskenë, drejtuesit e Dinamos po punonin për një ndryshim në stol, duke pasur si objektiv emërimin e Ilir Dajës, trajnerit aktual të skuadrës.
Pavarësisht rinovimit automatik, bashkëpunimi mes palëve u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga klubi, çka e shtyu Mehmetin të ndjekë rrugën ligjore. Pas një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar, CAS në Lozanë i dha të drejtë trajnerit, duke detyruar Dinamon të shlyejë të gjithë detyrimin financiar të kontratës për sezonin 2023/2024.
Ky vendim përbën një goditje të ndjeshme financiare për klubin kryeqytetas, në një moment kur stabiliteti ekonomik mbetet një nga sfidat kryesore të futbollit shqiptar. Vendimi shërben gjithashtu si një precedent i fortë për mënyrën e menaxhimit të kontratave dhe marrëdhënieve me stafin teknik.
Ndërkohë, Dritan Mehmeti del i rehabilituar profesionalisht, duke fituar jo vetëm betejën ligjore, por edhe atë morale. Dinamo, nga ana tjetër, duhet të përballet me pasojat e këtij vendimi, teksa synon të ndërtojë një të ardhme më të qëndrueshme nën drejtimin e stafit aktual.
"KORCA BOOM"



















