“Do të luftojmë për çdo centimetër” / Silvinho paralajmëron sfidën ndaj Andorrës
- Korca Boom
- 19 hours ago
- 2 min read
Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër përballë Andorrës në stadiumin Encamp, me fillim në orën 20:45, në kuadër të raundit të parafundit të kualifikimeve për Botërorin 2026. Në rast fitoreje të Shqipërisë dhe Anglisë në ndeshjet e tyre respektive, kuqezinjtë do të sigurojnë për herë të parë fazën “play-off” të Botërorit.
Para transfertës historike në Andorra, trajneri Silvinho foli në konferencën për shtyp, duke theksuar se sfida do të jetë ndryshe nga ajo e parë. “Imagjinojmë që Andorra do të jetë një ndeshje e ndryshme, pasi trajneri Koldo Alvarez i njeh shumë mirë lojtarët dhe mbrojtja e tyre është shumë e fortë. Nuk janë rezultate të thella, kështu që duhet të jemi të përqendruar dhe të luftojmë për çdo centimetër në fushë,” tha trajneri brazilian.
Silvinho theksoi se afrimi i Botërorit dhe mundësia për play-off janë një hap historik për kombëtaren: “Është hera e parë që ky ekip shkon në ndeshjet e fundit me shansin për play-off. Ne duam të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe të bëjmë një ndeshje të mirë ndaj Andorrës.”
Trajneri foli gjithashtu për mënyrën e qasjes së ekipit:
“Do të jemi i njëjti ekip që nisi kualifikueset kundër Anglisë. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha, përveç ndonjë modifikimi në sulm ose mesfushë sipas nevojës. Nesër na duhet fitorja dhe ekipi është i qetë dhe i ekuilibruar.”
Ai shtoi se përgjegjësia për mentalitetin e duhur bie mbi të gjithë stafin: “Përgatitja bëhet me video dhe diskutime të përbashkëta. Lojtarët janë të përqendruar, por Andorra është një kundërshtar i vështirë, i njohur nga trajneri i tyre, dhe nuk mund të nënvlerësohet.”
Silvinho nënvizoi gjithashtu se moduli i ekipit nuk është shqetësues, por se fokus është tek karakteristikat e lojtarëve dhe aftësia për të shfrytëzuar hapësirat. “Loja e Andorrës është e organizuar, luftojnë për çdo centimetër dhe nuk pësojnë shumë gola. Ne do të përpiqemi të përdorim karakteristikat tona për të krijuar rrezik,” shtoi ai.
Në lidhje me mungesën e golit në ndeshjet e fundit, trajneri u shpreh i qetë: “Të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë. Janë disa që kanë shënuar më shumë në vitet e fundit dhe jam i qartë kush mund të futet në fushë dhe të shënojë.”
"KORCA BOOM"



















