E frikshme! Automjeti shpërthen papritur, dyshohet për defekt teknik
- 2 days ago
- 1 min read
Një automjet është përfshirë nga flakët dhe më pas ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në zonën e Laprakës, në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët dhe kalimtarët që ndodheshin pranë vendngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se automjeti, i pajisur me impiant gazi, ka pësuar një defekt teknik gjatë lëvizjes, çka ka shkaktuar fillimisht zjarrin dhe më pas shpërthimin.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.
Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:10, në rrugën “Dritan Hoxha”, në zonën e Laprakës. Sipas të dhënave paraprake, automjeti që drejtohej nga shtetasi me iniciale D. L., 61 vjeç, ka marrë flakë gjatë lëvizjes dhe dyshohet se shkaku ka qenë një defekt teknik.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës. Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij incidenti.
“KORÇA BOOM”
















