E rëndë! I mituri përplaset nga një motomjet dhe më pas nga një makinë
- 59 minutes ago
- 1 min read
Një aksident i rëndë me pasojë plagosjen e një 10-vjeçari ka ndodhur në rrugën “Llazi Miho”, ku i mituri është përplasur nga dy mjete njëri pas tjetrit.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, fëmija u godit fillimisht nga një motomjet që drejtohej nga një 27-vjeçar, i cili rezultoi se nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Si pasojë e përplasjes, 10-vjeçari është goditur më pas edhe nga një automjet që drejtohej nga një 47-vjeçar.
I mituri u transportua menjëherë në spital, ku po merr trajtim mjekësor. Fatmirësisht, sipas autoriteteve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia bëri me dije se drejtuesi i automjetit u largua fillimisht nga vendi i aksidentit, por u identifikua më vonë dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Ndërkohë, drejtuesi i motomjetit është arrestuar për drejtim mjeti pa leje, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
“KORÇA BOOM”













