Skandal me kontratat, FIFA bllokon merkaton e disa klubeve shqiptare
- 1 hour ago
- 1 min read
Klubet shqiptare vijojnë të përballen me probleme serioze financiare dhe ligjore, teksa një numër i konsiderueshëm prej tyre rezultojnë me merkato të bllokuar nga FIFA për shkak të çështjeve të pazgjidhura kontraktore.
Sipas të dhënave të publikuara, Tirana kryeson listën me gjashtë çështje aktive. Kastrioti ka tre çështje, ndërsa Skënderbeu dhe Bylis figurojnë me nga dy. Po ashtu, me merkato të bllokuar rezultojnë edhe Dinamo City, Flamurtari, Kukësi, Oriku dhe Lushnja. Në listë vazhdojnë të figurojnë edhe KS Luftëtari dhe Valbona, edhe pse këto klube nuk janë më aktive.
Bllokimi i merkatos nga FIFA lidhet me mosrespektimin e detyrimeve kontraktore ndaj futbollistëve, trajnerëve apo palëve të tjera. Klubet mund të rikthehen në merkato vetëm pasi të shlyejnë detyrimet dhe të zgjidhin çështjet për të cilat janë ndëshkuar nga organet ndërkombëtare.
Ky është një fenomen që vazhdon të përsëritet nga sezoni në sezon, duke dëmtuar jo vetëm imazhin e klubeve shqiptare, por edhe funksionimin normal të tyre në merkaton e futbollistëve. Një rast i ngjashëm ishte edhe ai i Vllaznisë, e cila pak përpara ndeshjeve në kupat e Europës u penalizua për shkak të vonesave në shlyerjen e detyrimeve.
Situata tregon edhe një herë nevojën që klubet të tregojnë më shumë përgjegjësi në respektimin e kontratave. Çdo marrëveshje e firmosur duhet të zbatohet, pasi në të kundërt pasojat janë të rënda, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë financiar, duke dëmtuar njëkohësisht imazhin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
“KORÇA BOOM”













