E FUNDIT/ Komisioni i Disiplinës me “dorë të hekurt”. Ja vendimet e sotme, dënohet edhe zyrtari në Pogradec
- Korca Boom
- 7 hours ago
- 2 min read
Komisioni i Disiplinës ka dënuar me dy ndeshje pezullim drejtorin sportiv të klubit të Vorës, Bazjon Tragaj, për shkak të ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen e fundit ndaj Vorës.
Tragaj provokoi tifozët pas golit të vlonjatëve dhe u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar gjakrat pasi kishte acarim në tribunë, teksa ai vetë u ndëshkua me të kuq.
Ndërkaq, për sjelljen e spektatorëve janë gjobitur Elbasani e Flamurtari, si dhe kishte edhe një pezullim për zyrtarin e Pogradecit që dhunoi një lojtar të ekipit kundërshtar.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 02.12.2025
1. AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
2. Flamurtari FC, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur mjete piroteknike dhe duke përdorur kore fyese ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 17/2/c dhe 17/2/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
3. Zyrtari i KF Vora, Bazion Tragaj, për provokim të spektatorëve, në bazë të nenit 14/1/f të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
4. KF Bylis, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së vonesave për zbatimin në kohë të detyrave sipas Rregullores së Aktivitetit, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
5. KS Kastrioti, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe rregulloret e FSHF.
6. Zyrtari i FK Pogradeci, Elton Kllogjeri, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
“KORÇA BOOM”



















