E pabesueshme/ Fëmija 2-vjeç kafshon dhe vret kobrën që e sulmoi
- Korca Boom
- Jul 30
- 1 min read
Një ngjarje e jashtëzakonshme ka tronditur dhe mahnitur opinionin publik në Indi: një fëmijë 2-vjeçar arriti të mbijetojë duke vrarë me kafshim një kober helmuese që tentoi ta sulmonte brenda shtëpisë së tij, në një fshat të zonës West Champaran, në shtetin Bihar.
Sipas mediave indiane, episodi ndodhi javën e kaluar. Familjarët u përballën me një skenë tronditëse: vogëlushi mbante në dorë kobrën, të cilën e kishte kafshuar në kokë në një reagim instinktiv për t’u mbrojtur. Gjarpri ngordhi në vend.
“Kur e pamë që po mbante gjarprin, vrapuam drejt tij, por ai tashmë e kishte kafshuar. Gjarpri ishte i vdekur,” – ka rrëfyer gjyshja e djalit për mediat.
Fëmija humbi ndjenjat pas incidentit dhe u dërgua me urgjencë në një qendër shëndetësore, e më pas në një spital të specializuar. Fatmirësisht, ai arriti të shpëtojë pa pasoja fatale.
Mjekët u shprehën të habitur nga rasti. Sipas tyre, ndryshe nga kafshimet që përhapin helm në gjak dhe shkaktojnë dëme neurologjike, në këtë rast helmimi ndodhi përmes gojës – pra përmes traktit tretës – çka e bëri më të lehtë trajtimin.
“Fëmija erdhi i vetëdijshëm, por me gojë dhe fytyrë të fryrë për shkak të helmimit lokal. Kontrolluam disa herë për të siguruar që nuk ishte pickuar. Prindërit na sqaruan se ai vetë e kishte kafshuar kobrën,” – deklaroi një mjek për “The Telegraph”.
Pas 48 orësh në vëzhgim intensiv, vogëlushi u la të kthehej në shtëpi pa simptoma të rënda. Ngjarja po cilësohet si një mrekulli nga komuniteti vendas, ndërsa në rrjetet sociale ai tashmë njihet si:“Djali që mposhti kobrën me dhëmbë.”/ LAJMI FUNDIT
“KORÇA BOOM”



















