top of page

Qepët mbeten pa treg në Maliq/ Fermerët hedhin prodhimin: Po punojmë kot

  • 4 hours ago
  • 2 min read

Fermerët e fushës së Maliqit, kryesisht në fshatrat Pirg dhe Zvirinë, po përballen me një situatë të rëndë në tregtimin e prodhimeve bujqësore.


Qindra tonë qepë kanë mbetur stok, ndërsa mungesa e tregut po i detyron ata t’i hedhin ose t’i përdorin si ushqim për bagëtinë.


Prodhimi i këtij viti, që kërkoi muaj të tërë pune dhe kosto të larta, nuk po gjen blerës. Sipas fermerëve, çmimi me të cilin u kërkohet të shesin është shumë më i ulët se kostoja e prodhimit, duke i çuar drejt humbjes së sigurt.


“Qepët i mbollëm prapë, kemi një rezervuar dhe i hodhëm atje, çfarë t’u bëjmë? Po s’të linin t’i hidhje as në lumë, se të vinin e të gjobisnin. Vjen tregtari nga Tirana, na e merrte mallin me 200–300 lekë të vjetra dhe e shiste me 1300 lekë të vjetra. Qepa duhet të jetë me 400–500 lekë të vjetra që të mbulojmë kostot. I bëjmë thirrje shtetit, ai është rregullator”,-theksojnë tregtarët.


Fermerët denoncojnë edhe mungesën e kontrollit ndaj produkteve të importuara, të cilat sipas tyre po e nxjerrin jashtë loje prodhimin vendas.


“Prodhimi futet nga jashtë, vijnë tregtarët, e marrin me 200 lekë të vjetra dhe e shesin me 700–1000 lekë. Djali im ka patate e qepë, i ka shitur me 200 lekë. Kemi që në gusht që kemi hequr prodhimin, erdhi prilli dhe e kemi shitur nën kosto, pjesën tjetër e kemi hedhur. Ikën në lumë”,-tregon një tregtar.


Të gjendur pa zgjidhje, shumë prej tyre po dorëzohen nga bujqësia, ndërsa të rinjtë po largohen nga vendi.


“Ja, ua kemi hedhur lopëve, kuajve. Nuk mbjellim më. Të iki djali në Greqi, nuk ka më të rinj në fshat”,-tregon një nga fermerët.


Situata sipas tyre është e përhapur në të gjithë zonën, ndërsa mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta po i detyrojnë fermerët të hedhin prodhimin.


“Nuk shkon malli, e kanë hedhur fshatarët, e hanë dhentë. Nuk ka treg, vijnë e e marrin me 20 lekë të reja”,-ankohen fermerët.


Fermerët i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore për ndërhyrje urgjente, duke kërkuar mbështetje konkrete për garantimin e tregut dhe mbrojtjen e prodhimit vendas, në të kundërt, thonë ata, bujqësia në zonë rrezikon të braktiset plotësisht./CNA

“KORÇA BOOM”


bottom of page