top of page

E rëndë! 42-vjeçarja shqiptare humb jetën, vajza 9-vjeçare dëshmitare e tragjedisë

4 hours ago
1 min read

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në San Donà di Piave, pranë Venedikut, ku një 42-vjeçare shqiptare ka humbur jetën pasi është përplasur nga një kamion i pastrimit të mbetjeve.


Viktima është identifikuar si Lavdije Istrefi, nënë e tre fëmijëve. Ajo po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë kur u përplas nga kamioni.


Sipas mediave italiane, kamioni po kryente një kthesë djathtas për të hyrë në një rrugë anësore, në kryqëzimin me Via Paolo VI, kur ka përplasur 42-vjeçaren. Përplasja rezultoi fatale dhe shqiptarja humbi jetën në vendngjarje.


Mësohet se vajza e saj kishte kaluar rrugën pak çaste përpara aksidentit dhe nuk ka pësuar dëmtime. Megjithatë, ajo ka qenë dëshmitare e ngjarjes tragjike dhe raportohet se ndodhet në gjendje shoku.


Sipas raportimeve paraprake, në hetimet për shkaqet e aksidentit po shqyrtohet edhe mundësia që drejtuesi i kamionit të mos ta ketë pikasur 42-vjeçaren për shkak të këndit të kufizuar të shikimit nga pasqyrat e mjetit.


Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë autoritetet, ndërsa është përdorur një vinç për të ngritur kamionin dhe për të nxjerrë trupin e viktimës.


Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, por edhe stafin e shkollës ku mësonte vajza e 42-vjeçares. Sipas raportimeve, mësimi është pezulluar pas tragjedisë që tronditi nxënësit dhe mësuesit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page