top of page

"Edhe lavatriçja bën më shumë zhurmë", reagimi ironik i këngëtarit korçar ndaj udhëzimit të ri

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Një udhëzim i ri i përbashkët i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme ka shkaktuar reagime të forta nga bizneset që operojnë me muzikë live në Korçë. Sipas rregullave të reja, niveli i zhurmës në ambientet ku zhvillohet muzikë nuk duhet të kalojë 45 decibelë, një kufi që sipas operatorëve të sektorit është pothuajse i pamundur të respektohet gjatë aktivitetit normal.


Pronarë lokalesh, artistë dhe muzikantë shprehen se vendimi rrezikon drejtpërdrejt funksionimin e muzikës live, një nga elementët që ka karakterizuar prej vitesh jetën kulturore dhe turistike të Korçës. Ata argumentojnë se niveli prej 45 decibelësh është shumë i ulët dhe nuk përputhet me realitetin e aktiviteteve muzikore, madje as me zhurmat e zakonshme të jetës së përditshme


Mes zërave kritikë është edhe këngëtari dhe pronari i një lokali në Korçë, Saimir Poda, i cili e cilëson kufirin e vendosur si të pazbatueshëm. Ai ironizon situatën duke deklaruar se edhe një lavatriçe gjatë procesit të centrifugimit prodhon më shumë zhurmë sesa kufiri i lejuar nga udhëzimi i ri.


Sipas Podës, nëse ky rregull do të zbatohet në mënyrë strikte, shumë lokale do ta kenë të pamundur të ofrojnë muzikë live, duke sjellë pasoja jo vetëm për bizneset, por edhe për artistët që sigurojnë të ardhurat përmes performancave në këto ambiente.


Bizneset theksojnë se janë dakord me respektimin e qetësisë publike dhe mbrojtjen e banorëve nga ndotja akustike, por kërkojnë që institucionet të hapin një dialog me përfaqësuesit e sektorit për të sqaruar mënyrën e zbatimit të udhëzimit dhe për të rishikuar kufijtë e vendosur.


Ata paralajmërojnë se nëse nuk gjendet një zgjidhje e arsyeshme, shumë aktivitete muzikore mund të reduktohen ose të mbyllen plotësisht, duke ndikuar negativisht në jetën artistike dhe turistike të qytetit. Korça njihet si një nga qytetet më aktive në organizimin e mbrëmjeve me muzikë live, veçanërisht gjatë sezonit veror, ndaj bizneset kërkojnë që vendimet të merren në konsultim me grupet e interesit dhe duke marrë parasysh realitetin e tregut.

“KORÇA BOOM”


bottom of page