top of page

EDITORIAL/ Kur të duket vetja se po komenton një kampionat të huaj...

  • Aug 25, 2025
  • 2 min read

Kur të duket vetja se po komenton një kampionat të huaj, mos u çudit!

Është ndoshta një fenomen që po haset gjithnjë e më shpesh në futbollin shqiptar dhe këtë e pamë qartë edhe këtë javë në kampionatin tonë.


Le të ndalemi vetëm te një ndeshje – ajo mes Skënderbeut dhe Burrelit, luajtur në Korçë. Pa hyrë në aspektin teknik apo rezultatin, mjafton të shohësh emrat në fushë për të kuptuar se realiteti i futbollit tonë po merr gjithnjë e më shumë fytyrën e jashtme.


Te Skënderbeu, për shembull, vetëm në këtë ndeshje u aktivizuan ose janë pjesë e grupit 10 futbollistë të huaj: Bismark, Vasquez, Saleh Nasr, Randi, Estrela, Abubakar, Musa, Kamleu, Gift dhe Emanuel.


Nga ana tjetër, edhe Burreli nuk mbetet pas me emra si Aranaga, Arnold, Mensah, Uran dhe Da Silva, duke e çuar totalin në 15 lojtarë të huaj në një ndeshje të vetme të Kategorisë së Parë.


Një realitet që të bën të mendosh: A është ky një hap përpara në drejtim të rritjes së nivelit të kampionatit, apo një alarm për zhvillimin dhe hapësirat e munguar për futbollistët vendas?


Kjo është një temë që kërkon më shumë analizë sesa emocione. Por në çdo rast, kur sheh një ndeshje të tillë, ku në fushë dominojnë të huajt dhe loja ka intensitet, organizim e disiplinë, nuk është çudi që për një moment të harrosh se je duke komentuar futboll shqiptar.


Shpesh priremi nga rezultati i momentit, nga emrat që duken "gati", dhe harrojmë se nuk ka kombëtare pa bazë. Nuk ka ecuri pa rrënjë.


Shkaqet mund të jenë të shumta – mungesë vizioni, presion për të fituar menjëherë, ose një sistem që nuk mbështet mjaftueshëm rininë. Por një gjë duhet ta kemi parasysh: sa më shumë vëmendje t’u japim të rinjve tanë sot, aq më shumë shpresë kemi të kemi një kombëtare me histori nesër.


Kombëtarja nuk ndërtohet me emra të huaj që vijnë për pak kohë dhe ikin. Ajo ndërtohet me lojtarë që rriten mes nesh, me ata që djersitin çdo ditë në fushat tona, dhe që kur të vijë momenti, e ndiejnë flamurin si pjesë të tyre. Dhe pikërisht për këtë arsye, duhet të fillojmë sot, me më shumë durim, më shumë besim dhe më shumë kujdes për të rinjtë tanë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page