top of page

Egnatia humbet në Korçë, por akuza e Mekshit trondit kampionatin: “Gjykim me dy standarde”

12 hours ago
2 min read

Humbja 1-0 e Egnatias ndaj Skënderbeut në Korçë ka shkaktuar reagime të forta në kampin rrogozhinas. Revion Mekshi, video-analist i Egnatias, i cili dje ishte në pankinën e kampionëve, ka reaguar ashpër për “Panorama Sport”, duke ngritur akuza për gjykimin dhe duke denoncuar episode të dhunshme gjatë ndeshjes.


Mekshi pretendon se Egnatia po përballet me gjykim të njëanshëm në ndeshje të ndryshme, duke theksuar se skuadra nuk kërkon privilegje, por vetëm korrektësi në fushën e lojës.


Në reagimin e tij, ai ka treguar edhe për episode të rënda, ku sipas tij, stafi teknik është goditur me tulla dhe suva muresh, duke e cilësuar këtë si një shfaqje urrejtjeje ndaj ekipit rrogozhinas.


Video-analisti ka ironizuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, arbitrat trajtojnë vonesat e kundërshtarëve të Egnatias, duke pretenduar se në këtë drejtim përdoren dy standarde.


Pavarësisht humbjes në Korçë, Mekshi shprehet se Egnatia mbetet një nga ekipet më të pastra dhe më të drejta në garë, duke deklaruar se skuadra do të vazhdojë të luftojë për objektivat e saj deri në fund të sezonit.


Kampionët e Shqipërisë vijojnë të kryesojnë kampionatin, me 7 pikë më shumë se Teuta, që renditet në vendin e dytë dhe është ndjekësja më e afërt.


Reagimi i plotë i Revion Mekshit:


“Ekipi që të gjithë thonë se po i bën krenarë gjithë shqiptarët kudo. Edhe e vërteta është që po lufton e po bën mirë në Europë, për të ngritur nivelin e vazove për ekipet shqiptare.


Po persekutohet në çdo stadium ‘pothuajse’. Egnatia nuk kërkon të pritet me nderime të tepruara me lajka boshe, por me korrektësi loje. Të gjuhet me tulla e suva muresh kundër stafit teknik në pankinë do të thotë ‘URREJTJE’, ndaj asaj mollës që nuk arrihet dot me zotësi në majë të pemës.


Gjithsesi, Egnatia është dhe vazhdon të jetë nga ekipet më të pastra dhe të drejta në garë.


Edhe do të vazhdojë të fitojë deri në fund me vendosmëri, edhe pse gjyqtarët nuk dinë të numërojnë vonesat për kundërshtarët e Egnatias në çdo ndeshje. Vetëm për Egnatian punon numërimi. Gjykim qesharak me dy standarde dhe shumë orekse. Dikush të pjekur, dikush të zier dhe dikush të skuqur. Askush nuk e do sade të pastër”.

“KORÇA BOOM”


bottom of page