EKSKLUZIVE /Largimi i trajnerit të Devollit konfirmohet, dorëheqja është zyrtare
- 5 hours ago
- 2 min read
Situata te KF Devolli po kalon një moment delikat, ku zhvillimet e fundit lidhen jo vetëm me rezultatet në fushë, por edhe me ndryshime të rëndësishme në drejtimin teknik të skuadrës. Pas dy ndeshjeve të fundit që kanë lëkundur ndjeshëm ecurinë e ekipit, vendimi për largimin e stafit teknik duket se është bërë i pashmangshëm.
Në fakt, pas ndeshjes së zhvilluar në Orikum, trajneri Vasian Ballço kishte deklaruar para futbollistëve se do të largohej nga drejtimi i ekipit, duke e bërë të qartë që vendimi për tërheqjen nuk ishte një vendim i papritur, por një zgjedhje e tij personale pas analizës së situatës. Kjo deklaratë e tij ka krijuar menjëherë një atmosferë reflektimi brenda grupit, duke shërbyer si paralajmërim për ndryshimet që do të vinin.
Pas kësaj deklarate, është zhvilluar një takim mes trajnerit Ballço dhe ekzekutivit të klubit, Ermir Lukra. Në këtë takim është diskutuar gjerësisht mbi ecurinë e ekipit, rezultatet e fundit, presionin e objektivave dhe situatën e krijuar rreth klubit. Palët kanë dalë në përfundimin se, për të mirën e skuadrës, duhet respektuar vendimi i stafit teknik për t’u larguar.
Dy ndeshjet e fundit duket se kanë ndikuar ndjeshëm në këtë zhvillim, jo vetëm për shkak të rezultateve, por edhe për mënyrën sesi kanë ardhur ato. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kanë ndikuar edhe faktorë të jashtëm, përfshirë gjykime të konsideruara si tendencioze ndaj Devollit, ku më flagranti mbetet rasti i kësaj jave në Orikum.
Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë zgjedhur një qasje të matur, duke mos e përqendruar situatën vetëm te faktorët e jashtëm, por duke pranuar se skuadra ka nevojë për reflektim dhe reagim të brendshëm. Objektivat e vendosura në fillim të sezonit tashmë janë minimizuar dhe situata aktuale kërkon një analizë të thellë për të rikthyer stabilitetin dhe besimin në grup.
Trajneri Ballço ka falënderuar klubin për mundësinë dhe mbështetjen gjatë periudhës që ka drejtuar ekipin, duke theksuar përkushtimin maksimal të tij në çdo seancë dhe ndeshje.
Nga ana tjetër, ekzekutivi Lukra ka shprehur konsideratë për kontributin e stafit teknik, duke vlerësuar profesionalizmin dhe angazhimin e treguar.
"KORCA BOOM"
















