Ervin Grigor Nikolla kujton vitet në "RTV Korça" dhe kritikon praninë e politikës në ceremoni
- 1 hour ago
- 2 min read
Dhe vjen një ditë kur politika dhe njerëzit e lidhur ngushtë me të, marrin atributet, vjedhin djersën, rrëmbejnë meritat e punonjësve të thjeshtë dhe kokëulur, të atyre ushtarëve të punës që kanë ngritur dhe mbajtur në këmbë një "kasolle" të ngrohtë dhe të dashur. E shtrenja Korça ime, unë nuk të kam harruar, as unë dhe asnjë nga "shtegtarët" që çelën në gjirin tënd. Shpesh kam qëndruar në distancë, ndoshta më shumë sesa duhet, pa e kuptuar se fijet që më lidhin me vendlindjen do të m'i këpuste dhunshëm elita e re me zakone të vjetra.
Të hënën, diku në një sallë me akses të kufizuar u mbajt një ceremoni, RTV Korça festonte 26 vjetorin e Studios televizive. Në një sallë "moderne" rilindase, mbushur me politikanë, drejtues aktualë dhe disa ish-punonjës u fol për historinë, por historia dihet që edhe mund të redaktohet, madje sipas dëshirës dhe ndjesive momentale të atyre që kanë marrë atributet e pushtetarëve absolutë. Atë pjesë të historisë që njoh, mund ta rrëfej me tre fjali.
U aktivizova në Radio që prej vitit 1998. E mbaj mend si sot ditën, emocionet dhe entuziazmin e punonjësve kur Studio Televizive Korça doli në transmetim.
Mbaj mend që në TV isha pjesë e disa emisioneve, ndonjë koment ndeshjeje etj etj. Në shtator të vitit 2000 u shkëputa për shkak të studimeve në Tiranë. I mbaj mend të gjithë ata me të cilët kam punuar, të gjithë! Madje edhe shoqen e jetës, nënën e fëmijëve të mi e kam njohur në studiot e Radios dhe TV Korçës. Kemi ndarë studion me Benilën, Zamirën, Toninin (të cilit edhe sot i jam mirënjohës për mundësinë që më dha). Kam punuar gjatë me Pirron, Adin, Mondën, Benin dhe më shumë madje me Erifilin, tekniken më të vjetër në atë godinë, e cila sot është nëna ime e dytë. Mbaj mend me mall xhaxhi Yllin, Ilirin... Irena, Donika dhe Shirma, simboli i lajmit në qytet.
Mbaj mend çdo detaj nga qasja e dy drejtuesve të kohës, Gëzimit dhe Muharremit. Kohë të paharrueshme! Respekt maksimal për të gjithë! Kuptohet, në 25 vitet që pasuan shumë të tjerë kontribuan në atë institucion. Brezat kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, drejtorët shkojnë e vijnë, por ajo godinë mban të mbërthyera fort brenda saj, kujtimet e qindra vetëve. Por këtë të hënë, ata qindra nuk u përfaqsuan siç e meritojnë. Patjetër që ata pak "gjeneralë" që u ftuan, meritonin të ishin aty. Që të mos keqkuptohemi, nuk prisja ftesë, ky shkrim nuk ka lidhje me këtë. Ajo që më trazoi ishte "rrëmbimi" dhe "pengmarrja" e një kremtimi të rëndësishëm, nga fytyrat e politikës dhe njerëzit e lidhur me të! Kush janë këta more? Televizioni i Partisë është ky? Në një "festë" të tillë, mjafton pjesëmarrja e punonjësve dhe ish-punonjësve.
Të tjerët, politikanët pra, për gazetarinë janë thjesht statistika. Por të hënën, njerëzit e punës, u shndërruan në statistika politikanësh. Realiteti në qytet lexohet nga të gjithë, por me çfarë fytyre pretendoni se po ju thoni të vërtetën njerëzve, kur në sallë "vlon" kostumi i pushtetit?
“KORÇA BOOM”
















