Evis Kushi tregon zgjidhjen për trajtimin financiar të mësuesve të vjetër
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Sot kam dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë një nismë ligjore që propozon një shtesë në Ligjin e Arsimit Parauniversitar nr. 69/2012, me qëllim zgjidhjen e shqetësimit për trajtimin financiar të mësuesve të punësuar në sistemin arsimor përpara hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës.
Konkretisht, nisma prek mësuesit e punësuar para datës 01.03.2017. Për shkak të transformimeve të legjislacionit në kuadër të përshtatjes me sistemin e Bolonjës, diplomat e tyre janë ekuivalentuar me diploma Bachelor, si dhe për ata që kanë ndjekur Master Profesional me 60 ose 90 kredite.
Në pikën 6 të nenit 72 të ligjit aktual është parashikuar trajtimi i diferencuar për personelin mësimdhënës që ka përfunduar studimet në ish-institutet e larta pedagogjike, ku diploma njihet si arsim i lartë (tetë semestra) për efekt page. Megjithatë, deri tani, personeli mësimdhënës/edukator që ka ndjekur arsimin e ngjashëm në institucionet e arsimit të lartë përpara sistemit të Bolonjës nuk ka përfituar nga ky trajtim, edhe pse ka qenë në të njëjtat kushte.
Ky ndryshim ligjor synon të mbështesë personelin mësimdhënës/edukator, duke garantuar një shpërblim dinjitoz, motivimin e profesionistëve dhe rritjen e cilësisë në mësimdhënie.
Duke vlerësuar edhe kontributin e znj. Zhupa, e cila ka ngritur problematikën dhe ka propozuar ndryshime në Ligjin e Arsimit të Lartë, pas konsultimeve me juristë dhe ekspertë të fushës, zgjidhja më e drejtë dhe më e shpejtë është ndërhyrja në Ligjin e Arsimit Parauniversitar dhe jo në atë të Arsimit të Lartë.
Jam e bindur se Ministria e Arsimit do të jetë me ne në këtë nismë dhe shpresoj që të bashkohemi në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, me qëllim të vetëm: zgjidhjen e shqetësimit të mësuesve dhe vlerësimin e merituar të tyre.
"KORCA BOOM"



















