Rregullore e re për maturën 2026: Përgjegjësit e qendrave provimi më të angazhuar
- Korca Boom
- 2 days ago
- 1 min read
Nga 2 qershori deri më 23 qershor, rreth 26 mijë gjimnazistë në të gjithë vendin do të zhvillojnë katër provimet e detyrueshme të maturës shtetërore.
Ministria e Arsimit ka miratuar disa ndryshime në rregullore me synimin për të forcuar kontrollet gjatë testimit dhe për të shmangur rrjedhjen e tezave apo kopjimin.
Zv.ministrja e Arsimit, Oriana Osmani, njëherazi kryetarja e Komitetit për organizimin e maturës, thekson rëndësinë e rritjes së përgjegjësive të administratës së qendrave të provimit: “Përgjegjësit që menaxhojnë provimet – nga sekretuesit deri te përgjegjësit e katit – duhet të jenë të bindur për detyrën që kanë në çdo qendër provimi. Nga ana tjetër, vazhdojnë të njëjtat rregulla për maturantët: pajisjet teknologjike si telefonat apo orët nuk janë të lejuara. Vitin e kaluar kemi pasur disa penalizime për administrimin që nuk angazhohej si duhet, dhe ky problem nuk do të përsëritet në 2026.”
Ndryshime do të ketë edhe në përmbajtjen e provimeve. Nxënësve të klasave të 12 u janë shpërndarë teste model për t’u përgatitur paraprakisht, ndërsa Qendra e Shërbimeve Arsimore ka organizuar grupe për hartimin dhe përditësimin e tezave, duke pasur parasysh ndryshimet e vogla që kanë pësuar programet e mësimit gjatë tre viteve të shkollës së mesme.
Zv.ministrja Osmani shton: “QSHA ka marrë masat për të organizuar grupet e hartuesve të tezave, për të përditësuar fondet e pyetjeve dhe për t’u siguruar që nxënësi të ketë një provim që përputhet me njohuritë e marra gjatë tre viteve të shkollës.”
Maturantët pritet të përballen me një proces më të rregullt dhe të sigurt, ndërsa administrata e provimeve ka marrë përgjegjësi të shtuar për të garantuar korrektësinë dhe transparencën e testimeve.
"KORCA BOOM"



















