Organizimi i udhëtimeve për qëllime s*eksuale, përgjegjësi penale edhe jashtë vendit
- Korca Boom
- 39 minutes ago
- 1 min read
Një nga risitë më të diskutueshme të draftit të Kodit të ri Penal, që pritet të shqyrtohet në Kuvend, lidhet me ndëshkimin penal të veprave seksuale të kryera gjatë udhëtimeve jashtë Shqipërisë. Dispozita synon të luftojë turizmin seksual dhe format e organizuara të shfrytëzimit, por ka ngritur pyetje për interpretimin dhe zbatimin e saj.
Drafti shkon më tej duke parashikuar pasoja të rënda për personat juridikë. Në rast se një kompani apo biznes përfshihet në organizimin e udhëtimeve për qëllime seksuale, përveç përgjegjësisë penale të individëve, gjykata mund të vendosë edhe mbylljen përfundimtare të subjektit.
Sipas nenit 108/b të draftit, ndëshkimi penal vlen për organizimin e udhëtimeve me qëllim kryerjen e veprave penale seksuale, pavarësisht nëse ato janë të ndaluara apo jo në vendin ku kryhet udhëtimi. Përgjegjësia penale shtrihet jo vetëm mbi ata që përfitojnë financiarisht, por edhe kur udhëtimi organizohet pa shpërblim.
Ligji synon kryesisht të godasë praktika si shfrytëzimi seksual i të miturve, përdorimi i tyre si dëshmitarë të abuzimit, si dhe organizimi i udhëtimeve për qëllime prostitucioni ose marrëdhëniesh intime të paligjshme. Për këto raste, dënimi i parashikuar është burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
Megjithatë, tekstualisht nuk jepen detaje mbi mënyrën se si do të provohen këto vepra jashtë vendit, gjë që ka ngritur dilema për standardin e provës dhe kufijtë e zbatimit praktik të këtij neni.
Drafti i Kodit të ri Penal është ende në fazë diskutimi, dhe mbetet për t’u parë nëse ky nen do të pësojë ndryshime apo sqarime përpara miratimit në Kuvend.
"KORCA BOOM"



















