top of page

Federata e Volejbollit “përplas derën” ndaj akuzave: “Çështja Nayara është keqpërdorur”

  • Oct 28, 2025
  • 1 min read

Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me znj. N.F. dhe dëshiron të informojë opinionin publik, si dhe të gjithë të interesuarit, se disponon të gjithë dokumentacionin dhe korrespondencën përkatëse me ekipin Dinamo Volley. Aktualisht, FSHV është në pritje të përmbushjes së detyrimeve përkatëse ndaj komunitetit të volejbollit, në lidhje me zgjidhjen e këtij rasti.


Federata garanton se do të veprojë me transparencë të plotë në çdo hap të procesit, duke theksuar se ky është një rast tërësisht sportiv. Njëkohësisht, FSHV shpreh shqetësimin për përpjekjet për ta përdorur këtë çështje si pretekst për shkelje të të drejtave të individëve apo komuniteteve të caktuara.


Në bashkëpunim të ngushtë me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh) dhe partnerët ndërkombëtarë, Federatën Botërore të Volejbollit (FIVB) dhe Federatën Evropiane të Volejbollit (CEV), FSHV ka zbatuar me rreptësi të gjitha procedurat ligjore dhe statutore.


Bordi Drejtues i FSHV-së ka referuar pranë Komisionit të Disiplinës rastet e fyerjeve dhe intimidimeve publike të bëra nga disa përfaqësues dhe drejtues të shoqatës Dinamo Volley në media dhe rrjete sociale. Federata u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të vetëpërmbahen nga deklarata të pavërteta, dezinformuese apo dashakeqe, të cilat dëmtojnë partneritetin dhe bashkëpunimin institucional mes palëve.


Federata Shqiptare e Volejbollit rikujton se është organi përgjegjës për mbarëvajtjen, zhvillimin dhe organizimin e volejbollit në Shqipëri. FSHV siguron të gjithë aktorët e përfshirë se do të vazhdojë të zbatojë me përpikmëri të gjitha detyrimet statutore dhe ligjore.


Tiranë, më 28 tetor 2025

"KORCA BOOM"


bottom of page