top of page

“Finalja” e sezonit në Burrel, korçarët të “alarmuar” nga aludimet

  • 6 days ago
  • 2 min read

Skënderbeu ndodhet përballë provës më të rëndësishme të sezonit. Transferta në Burrel ndaj vendasve në stadiumin “Liri Ballabani” mund të rezultojë vendimtare për fatet e skuadrës së drejtuar nga Ernest Gjoka. Një fitore në këtë sfidë do të ishte një hap gjigant drejt rikthimit të bardhekuqve në Kategoria Superiore, objektivi madhor që klubi korçar ka ndjekur që nga nisja e këtij sezoni.


Katër javët e fundit të Kategoria e Parë do të luhen në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin orar, çka pritet të rrisë ndjeshëm rivalitetin dhe emocionet. Shpresohet që gjithçka të vendoset vetëm në fushën e lojës, pa ndikimin e faktorëve të jashtëm që mund të cenojnë garën dhe investimet e skuadrave gjatë gjithë sezonit. Pikërisht këtu lind edhe njëfarë tensioni në kampin korçar. Para kësaj ndeshjeje të rëndësishme, nuk mungojnë zërat dhe aludimet për aleanca jashtë fushe, ku përflitet për një grup që mund të favorizojë rivalët e Skënderbeut.


Megjithatë, bardhekuqtë mbeten të përqendruar te forca e tyre dhe te ajo që kanë treguar në fushë gjatë gjithë kampionatit. Deri tani, Skënderbeu ka qenë dominues absolut, duke kryesuar renditjen nga java e parë deri në të 29-ën. Fati i sezonit është ende në duart e tyre dhe performanca në katër javët e mbetura do të përcaktojë gjithçka.


Një tjetër element që rrit besimin te korçarët është fakti se skuadra ka dhënë prova se di të fitojë edhe në transferta të vështira. Një shembull konkret është pikërisht përballja e fazës së dytë në “Liri Ballabani”, ku Skënderbeu triumfoi 2-1 ndaj Burrelit. Ajo ndeshje u vendos që në pjesën e parë falë golave të Vangjelit dhe Musës, duke treguar qartë superioritetin e ekipit të Gjokës. Me grupin pothuajse të plotë dhe me eksperiencën e një fitoreje të mëparshme në këtë transfertë, pritshmëritë janë të larta që edhe sot Skënderbeu të dalë me tre pikë “të arta”.


Aktualisht, korçarët kryesojnë renditjen me 70 pikë, tre më shumë se Laçi dhe gjashtë më shumë se Pogradeci i vendit të tretë. Një diferencë që i jep avantazh, por që kërkon menaxhim perfekt në këtë fazë finale. Sfida e Burrelit nuk është thjesht një ndeshje e radhës, por një “finale” e vërtetë për Skënderbeun. Një hap i gabuar mund të rihapë garën, ndërsa një fitore do t’i afronte ndjeshëm me rikthimin aty ku synojnë, në elitën e futbollit shqiptar./ Panorama Sport

“KORÇA BOOM”


bottom of page