top of page

“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” prezantohet edhe në Universitetin e Oksfordit nga prof. Manjola Zaçellari

  • Mar 7
  • 1 min read

“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” u prezantua edhe në Universitetin e Oksfordit nga prof. Manjola Zaçellari.


Bashkëhartuesja e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, njëherazi anëtare e Komisionit të përhershëm të gjuhës dhe letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe pedagoge në Universitetin e Durrësit, prof. asoc. dr. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford.


Prof. Zaçellari mori pjesë si referuese në konferencën ndërkombëtare Oxford Forum of Open Scholarship 2026, një aktivitet akademik i zhvilluar në datat 2 - 6 mars nga Bodleian Libraries, University of Oxford, i cili mbledh studiues, kërkues dhe ekspertë nga institucione të ndryshme ndërkombëtare për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në open research, open data dhe open scholarship.

Në kuadër të kësaj konference, më 4 mars, prof. Zaçellari prezantoi studimin “Open Structured Dictionary Data for Low-Resource Languages”, ku trajtoi çështje që lidhen me strukturimin dhe hapjen e të dhënave leksikografike për gjuhët me burime të kufizuara.


Gjatë prezantimit, ajo u ndal te një pyetje thelbësore që udhëhoqi diskutimin: “Kush e zotëron dijen gjuhësore?”, duke reflektuar mbi rolin e qasjes së hapur në burimet gjuhësore dhe mbi rëndësinë e ndarjes së dijes në komunitetin shkencor global.


Me këtë rast, prof. Zaçellari prezantoi edhe “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, një nga veprat më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare, duke theksuar vlerën shkencore të kësaj pune dhe rëndësinë e hedhjes së saj në platforma online si burim për “open data”.


Ky proces synon ta bëjë këtë pasuri të rëndësishme gjuhësore më të qasshme për kërkimin shkencor ndërkombëtar dhe për studiuesit e gjuhësisë e gjuhës shqipe në mbarë botën.


bottom of page