top of page

Fundi i postblloqeve? Urdhri që ndryshon policinë rrugore në Shqipëri

  • 5 hours ago
  • 1 min read

Një nga urdhrat e parë të firmosur nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhet me riorganizimin e punës së policisë rrugore dhe mënyrën e monitorimit të qarkullimit.


Në një telegram të dërguar të gjitha drejtorive vendore, Hita ka urdhëruar heqjen e shërbimeve të dukshme të policisë rrugore nga akset nacionale, por edhe nga zona të tjera ku ato kanë qenë të pranishme.


Sipas tij, ky vendim vjen pas shqetësimeve të shprehura nga drejtuesit e mjeteve, të cilët janë ankuar për ndalime rutinë pa një bazë të qartë ligjore, si edhe për vonesat e panevojshme që këto kontrolle shkaktonin gjatë udhëtimeve.


Në këtë kuadër, është kërkuar që nga data 10 prill të ndërpritet menjëherë praktika e ndalimit të automjeteve me motivacionin “për verifikim”.


Në vend të kontrolleve fizike të shpeshta, policia rrugore do të mbështetet kryesisht në përdorimin e teknologjisë. Shkeljet e qarkullimit do të konstatohen përmes radarëve të shpejtësisë që operojnë në mënyrë automatike, si dhe me përdorimin e dronëve dhe pajisjeve të tjera monitoruese.


Megjithatë, në rastet kur situata kërkon ndërhyrje në terren dhe verifikim të drejtpërdrejtë të drejtuesve të mjeteve, telegrami udhëzon që të hartohet një plan i detajuar masash për ngritjen e pikave të kontrollit. Këto pika duhet të jenë të mirëorganizuara dhe nën drejtimin e shefave të sektorëve apo seksioneve të policisë rrugore.


Ky vendim synon të rrisë efikasitetin e kontrollit rrugor, të reduktojë ndërhyrjet e panevojshme ndaj qytetarëve dhe të forcojë transparencën përmes përdorimit të teknologjisë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page