top of page

Furtunë në polici, masa të forta pas zbulimit të mijëra bimëve n*rkotike

  • Jun 9
  • 1 min read

Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa disiplinore ndaj disa punonjësve të saj, pas një aksioni të gjerë antidrogë të zhvilluar në zonën e Reçit, ku u zbuluan mijëra bimë të dyshuara narkotike.


Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për 7446 bimë të dyshuara Cannabis Sativa, të kultivuara në fshatin Reç i Ri, në Njësinë Administrative Velipojë. Pas zbulimit të tyre, është organizuar menjëherë operacioni për asgjësimin e bimëve dhe identifikimin e autorëve.


Në vijim të ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin nga detyra të disa drejtuesve lokalë të policisë, për shkak të mangësive të konstatuara në përmbushjen e detyrave të tyre.


Masat disiplinore kanë përfshirë:


  • Kryekomisarin, shef i Komisariatit të Policisë Shkodër


  • Nënkomisarin, shef i Stacionit të Policisë Velipojë


  • Inspektorin, ndihmësspecialist i Policimit në Zonë


    Ndërkohë, ndaj dy punonjësve të tjerë të policisë, pjesë e grupit të kontrollit të territorit, ka nisur hetim disiplinor pa pezullim nga detyra.


Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se rasti ka ardhur pas një informacioni të dërguar në adresë elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka çuar në organizimin e menjëhershëm të kontrollit në terren dhe nisjen e hetimeve.


Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim të thelluar administrativ për të verifikuar përgjegjësitë dhe mënyrën e menaxhimit të territorit ku u gjetën bimët narkotike.


Policia thekson se lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike mbetet prioritet dhe se çdo rast do të trajtohet me vendosmëri, pa tolerim si ndaj autorëve të veprave penale, ashtu edhe ndaj punonjësve që nuk përmbushin detyrat ligjore.

“KORÇA BOOM”


bottom of page