top of page

Goditet skema e mashtrimit, sekuestrohen mbi 1 milion euro pasuri

2 hours ago
1 min read

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, nën dyshimin për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.


Operacionin e 25 nëntorit e zhvilloi Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Në operacion morën pjesë edhe Njësia Speciale FIT dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).


Sipas hetimeve paraprake, tre të dyshuarit kontaktonin nëpërmjet telefonit dhe komunikimeve elektronike kryesisht shtetas të huaj, të cilëve u ofronin mundësi investimi në platforma fiktive. Nëpërmjet kësaj skeme, ata dyshohet se u kanë shkaktuar viktimave dëme financiare.


Policia arrestoi në flagrancë tre të dyshuarit, ndërsa gjatë kontrolleve në katër ambiente sekuestroi pasuri me vlerë mbi 1 milion euro.


Në listën e sekuestrimeve figurojnë 19 automjete, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë pajisje USB, 4 095 euro në para të gatshme, 11,28 gramë substancë të dyshuar narkotike dhe dokumentacion që hetuesit dyshojnë se lidhet me aktivitetin kriminal.


Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës nuk kanë bërë të ditur identitetin e të arrestuarve, numrin e personave që dyshohet se kanë rënë viktimë e skemës apo vlerën e dëmit financiar që kanë pësuar.


Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në skemën e mashtrimit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page