E rëndë në Itali/ Shqiptarja rrihet për vdekje nga bashkëshorti (Emrat)
- Korca Boom
- 5 hours ago
- 1 min read
Një 49-vjeçare me origjinë shqiptaro-maqedonase, Sadjide Muslija, është gjetur e vdekur në banesën e saj në Pianello Vallesina, një fshat i vogël në Monte Roberto, provinca e Ankonës, Itali. Sipas mediave italiane, trupi i saj paraqiste shenja të shumta dhune, ndërsa autoritetet janë vënë në kërkim të bashkëshortit të saj, 50-vjeçarit Nazif Muslija, i dyshuar për rrahje të shkaktuara deri në vdekje.
Viktima u gjet në shtrat me plagë në kokë dhe gjurmë të dukshme dhune. Policia u njoftua nga punëdhënësi i saj, pasi gruaja nuk ishte paraqitur në punë.
Çifti ndodhej në proces divorci, por sipas mediave, bashkëshorti ishte rikthyer të jetonte me të, pavarësisht ndarjes. Ai kishte precedentë të mëparshëm për dhunë në familje dhe kishte marrë disa denoncime nga 49-vjeçarja. Në prill të këtij viti, ai ishte arrestuar për dhunë fizike ndaj saj.
Në një incident të mëparshëm, ai kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë, pasi gruaja ishte strehuar te një fqinj dhe ai dyshonte për tradhti. Viktima kishte raportuar se për dy vjet ishte nën dhunën e vazhdueshme të bashkëshortit. Në korrik, pas një marrëveshjeje pranimi fajësie, çifti ishte ribashkuar.
Rasti tronditi komunitetin vendas dhe riktheu vëmendjen mbi dhunën në familje, sidomos kur ajo përfundon me tragjedi.
"KORCA BOOM"



















