Gëzuar ditëlindjen, Dr. Spiro Pine!
Dr. Spiro, mjek endokrinolog, lindi më 4 nëntor 1953 në Korçë. Pas përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera, nisi karrierën si mjek në shërbimin e urgjencës së Spitalit të Korçës. Në vitet 1980–1984 kreu specializimin pasuniversitar në QSUT “Nënë Tereza”, në patologji të përgjithshme dhe endokrinologji, duke u përgatitur për një karrierë të gjatë e të suksesshme në këtë fushë.
Që prej vitit 1984, ai i është përkushtuar shërbimit mjekësor në Korçë, duke u dalluar për profesionalizmin, përgatitjen shkencore dhe përkushtimin ndaj pacientëve. Përvoja e tij është pasuruar përmes pjesëmarrjes në konferenca e kualifikime ndërkombëtare, veprimtarisë pedagogjike pranë Universitetit “Fan S. Noli” dhe kontributit në studime e publikime shkencore në fushën e diabetologjisë dhe mjekësisë së brendshme.
Ka drejtuar Spitalin Rajonal të Korçës në vitet 1993–1996 dhe ka vijuar të mbajë përgjegjësi të rëndësishme në shërbimin spitalor, duke qenë një emër i respektuar në komunitetin mjekësor të qytetit.
Përtej vlerave të tij profesionale, për mua Dr. Spiro është edhe një mik i dashur i imi dhe i familjes sime, të cilin e njoh që në vitet ’80. Një miqësi e gjatë, e ndërtuar mbi respektin, vlerësimin dhe konsideratën njerëzore, që e bën këtë ditë edhe më të veçantë.
I dashur doktor, të urojmë nga zemra shëndet, jetë të gjatë, gëzime dhe shumë momente të bukura pranë familjes dhe njerëzve të dashur!
“KORÇA BOOM”
















