Gëzuar ditëlindjen, Mjeshtër Josif Minga!
- 1 day ago
- 2 min read
Josif Minga është një prej personaliteteve më të shquara të muzikës shqiptare, kompozitor, pedagog dhe studiuesi i mirënjohur korçar, një emër që prej më shumë se pesë dekadash ka kontribuar në pasurimin e kulturës dhe artit shqiptar.
E shfaqi talentin muzikor që në fëmijëri. Mësimet e para i mori në fizarmonikë, instrument me të cilin u dallua si virtuoz, duke fituar tre herë vendin e parë në festivale kombëtare. Pas përfundimit të shkollës së mesme “Themistokli Gërmenji”, ai ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Debutoi në Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH si krijuesi më i ri i festivalit. Që prej asaj kohe, veprat e tij janë interpretuar nga artistët më të mëdhenj të muzikës shqiptare, duke u shtrirë në të gjitha gjinitë muzikore si edhe duke udhëhequr grupet folklorike të zonës sonë në Festivalet Folklorike të Gjirokastrës.
Nën drejtimin e tij artistik, formacionet korçare janë vlerësuar me çmime të shumta, trofe dhe mirënjohje prestigjioze.
Një kontribut të veçantë ka dhënë në ruajtjen dhe pasurimin e serenatës korçare,me përpunimin e shumë këngëve popullore e qytetare dhe duke e promovuar me sukses këngën qytetare korçare brenda dhe jashtë vendit.
Veprimtaria e tij përfshin gjithashtu krijimin e muzikës për filma dhe teatro, kompozimin e himneve për institucione arsimore, drejtimin e projekteve kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen në juritë e festivaleve dhe spektakleve artistike.
Me mbi 50 vite krijimtari dhe veprimtari artistike, Josif Minga mbetet një nga figurat më të respektuara të muzikës shqiptare, një ambasador i denjë i kulturës korçare.
Me rastin e ditëlindjes i urojmë shëndet, jetë të gjatë, frymëzim të pandërprerë dhe shumë vlerësime të tjera për kontributin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë muzikës, kulturës dhe arsimit shqiptar!
“KORÇA BOOM”
















