top of page

Hetimet për vdekjen e Giorgos Mazonakis, bllokohen pasuritë e dy mjekëve, sekuestrohen edhe llogaritë bankare

Oct 9
1 min read

Hetimet për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis kanë marrë një tjetër drejtim, pasi autoritetet greke kanë vendosur ngrirjen e të gjitha pasurive të dy mjekëve të arrestuar në lidhje me këtë çështje.


Sipas raportimeve të mediave greke, vendimi është marrë nga kreu i Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave, Charalambos Vourliotis, i cili më parë ka mbajtur detyrën e zëvendësprokurorit të Gjykatës së Lartë. Urdhri për bllokimin e pasurive i është përcjellë edhe Prokurorisë për veprimet e mëtejshme.


Në fokus të autoriteteve është vendosur edhe një kasafortë bankare që dy mjekët zotëronin në një bankë në lagjen Kolonaki, pranë klinikës ku ushtronin aktivitetin e tyre. Për këtë kasafortë është dhënë miratimi paraprak për hapjen dhe sekuestrimin e gjithçkaje që ndodhet brenda saj.


Paralelisht, hetuesit kanë nisur verifikime të zgjeruara për të identifikuar pasuri të tjera të mundshme. Kërkesa për informacion u janë drejtuar institucioneve përgjegjëse për regjistrimin e pronave, si edhe kompanive të sigurimeve, për të zbuluar nëse të dyshuarit disponojnë pasuri të paluajtshme apo produkte financiare dhe investimi.


Çdo aset që do të rezultojë në pronësi të tyre pritet të përfshihet në masën e sekuestrimit.

Ndërkohë, hetimi financiar nuk kufizohet vetëm te çështja e vdekjes së këngëtarit. Autoritetet po shqyrtojnë edhe dyshime për përfshirjen e dy mjekëve në katër vepra të tjera penale: mashtrim, ushtrim të paligjshëm të profesionit të mjekut, evazion fiskal dhe pastrim parash.


Pas përfundimit të kontrolleve dhe analizimit të të dhënave financiare, dosja me gjetjet e hetimit do t'i dorëzohet prokurorit, i cili do të vendosë për hapat e mëtejshëm ligjorë./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page