Biletat e avionit pritet të shtrenjtohen deri në 20% në 2027, paralajmëron kreu i Ryanair
Rritja e çmimeve të karburantit dhe tensionet në Lindjen e Mesme pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në xhepat e udhëtarëve, me biletat e avionit në Europë që mund të shtrenjtohen ndjeshëm gjatë vitit 2027. Paralajmërimi vjen nga drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, i cili parashikon rritje të tarifave deri në 20%, në atë që e cilëson si shtrenjtimin më të madh historik të udhëtimeve ajrore në Europë.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, më 20 tetor, O’Leary renditi disa faktorë që po ushtrojnë presion mbi industrinë e aviacionit. Mes tyre janë rritja e çmimit të karburantit për avionë pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, mbrojtja e kufizuar financiare e kompanive ndaj luhatjeve të çmimeve dhe reduktimi i kapaciteteve në treg si pasojë e falimentimeve dhe bashkimeve mes operatorëve.
Sipas drejtuesit të Ryanair, kompania ka siguruar paraprakisht vetëm 15% të nevojave për karburant për vitin e ardhshëm, me një çmim prej 85 dollarësh për fuçi. Shqetësimet për kostot e energjisë janë reflektuar edhe në parashikimet e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, e cila ka ulur pritshmëritë për fitimet e industrisë gjatë vitit 2026, për shkak të shtrenjtimit të energjisë dhe tensioneve gjeopolitike.
Ndikimi ka nisur të ndihet edhe te kompanitë ajrore. EasyJet ka raportuar një rritje vjetore prej 105 milionë paundësh në kostot e karburantit dhe ka reduktuar ofertën e saj për sezonin dimëror me rreth 700 mijë vende.
Nëse çmimet e energjisë mbeten të larta, udhëtarët mund të përballen jo vetëm me bileta më të shtrenjta, por edhe me më pak alternativa fluturimi.
Kriza energjetike ka detyruar gjithashtu tregun ndërkombëtar të riorganizojë rrugët e furnizimit. Sipas një analize të Reuters, për të kompensuar një pjesë të furnizimeve nga Gjiri Persik, Europa ka shtuar blerjet e karburantit nga tregje më të largëta, përfshirë SHBA-në, Indinë dhe Nigerinë.
Një nga shembujt e përmendur është cisterna Nord Ventura, e cila transportoi rreth 300 mijë fuçi karburant për avionë nga Luiziana drejt Melburnit, në një itinerar që, sipas të dhënave të Kpler të cituara nga Reuters, nuk ishte përdorur të paktën që nga viti 2017.
Sipas të dhënave të IATA-s, ndërprerjet e furnizimit të lidhura me tensionet në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar një rënie të ofertës globale të naftës bruto me rreth 10 milionë fuçi në ditë, ekuivalente me afërsisht 13% të kërkesës botërore.
Në kulmin e krizës, çmimi i naftës iu afrua 150 dollarëve për fuçi, ndërsa karburanti për avionë kaloi nivelin e 200 dollarëve.
Këto zhvillime kanë shtuar presionin mbi kompanitë ajrore, të cilat po përballen me kosto më të larta operative dhe marzhe më të ulëta fitimi. Nëse situata vijon, shtrenjtimi i biletave dhe reduktimi i fluturimeve mund të bëhen ndër pasojat kryesore për pasagjerët gjatë vitit të ardhshëm.
“KORÇA BOOM”
















