top of page

Holanda dominon Grupin F, Japonia dhe Suedia sigurojnë kualifikimin në fazën me eliminim direkt

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Holanda fitoi bindshëm ndaj Tunizisë, ndërsa barazimi mes Japonisë dhe Suedisë i kualifikoi të dyja skuadrat në fazën e 1/32-ave të Kupës së Botës 2026…


Holanda konfirmoi statusin e favoritit në Grupin F të Kupës së Botës 2026, duke mposhtur Tunizinë me rezultatin 3-1 dhe duke e mbyllur grupin në vendin e parë me 7 pikë. Ky pozicion i shmang holandezët nga një përballje e hershme me Brazilin në fazën me eliminim direkt.


Në ndeshjen tjetër të grupit, Japonia dhe Suedia barazuan 1-1, rezultat që i shërbeu të dyja skuadrave. Japonia u rendit e dyta me 5 pikë dhe siguroi kualifikimin direkt, ndërsa Suedia, me 4 pikë, avancoi si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta.


Holanda vendosi fatin e ndeshjes që në fillim


Në Kansas City, Holanda e zgjidhi takimin që në minutat e para. Fillimisht, Ellyes Skhiri shënoi autogol në minutën e 3-të, ndërsa Brian Brobbey dyfishoi epërsinë katër minuta më vonë.


Tunizia, e eliminuar tashmë pas humbjeve ndaj Suedisë dhe Japonisë, ngushtoi diferencën në minutën e 54-t me golin e Hamza Mastouri. Megjithatë, Holanda reagoi shpejt dhe Jan Paul van Hecke vulosi fitoren 3-1 në minutën e 62-të, pas një goditjeje nga këndi të Tijjani Reijnders.

Skuadra e drejtuar nga Ronald Koeman administroi pa vështirësi pjesën e mbetur të ndeshjes dhe e mbylli grupin në vendin e parë. Tunizia u rendit e fundit pa asnjë pikë dhe me 13 gola të pësuar.


Në fazën e 1/32-ave, Holanda do të përballet me Marokun, ndërsa Japonia do të luajë ndaj Brazilit.


Barazim që kualifikoi Japoninë dhe Suedinë


Në Dallas, Japonia dhe Suedia ndanë pikët në një ndeshje që u bë interesante vetëm pas pushimit.


Japonia kaloi në avantazh në minutën e 56-të me Daizen Maeda, i cili finalizoi një asist të Junya Ueda. Suedia reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 62-të me një goditje të fuqishme nga Anthony Elanga.


Në minutën e 65-të, Alexander Isak humbi një rast të mirë për suedezët, ndërsa në kohën shtesë portieri japonez Suzuki bëri dy pritje vendimtare, duke ndalur fillimisht Elangën dhe më pas goditjen me kokë të Isakut, e cila përfundoi edhe në traversë.


Me këtë rezultat, Japonia e mbylli grupin në vendin e dytë dhe do të përballet me Brazilin në raundin tjetër, ndërsa Suedia siguroi kalimin në fazën me eliminim direkt si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta.

“KORÇA BOOM”


bottom of page