top of page

I dënuari 19-vjeçar ndërron jetë në burg, nis hetimi për rrethanat

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 6 days ago
  • 1 min read

Një i dënuar ka ndërruar jetë ditën e diel në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër. Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se bëhet fjalë për shtetasin Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.


Sipas njoftimit, ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më 10.10.2024, me masë sigurimi “arrest në burg”, për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “prodhim dhe shitje e narkotikëve”.


Nga informacioni paraprak bëhet e ditur se gjatë paradites së sotme, i dënuari është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat. Menjëherë është njoftuar personeli shëndetësor i institucionit, i cili pas vlerësimit mjekësor ka konstatuar parametra jetësorë të ulët. Atij i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe është rekomanduar dërgimi i menjëhershëm në një strukturë spitalore.


Shtetasi është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura shëndetësore më e afërt. Gjatë transportimit, stafi shëndetësor i ka ofruar ndihmë mjekësore të vazhdueshme. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma e menjëhershme, por pavarësisht përpjekjeve, mjeku i urgjencës ka konstatuar ndarjen e tij nga jeta (exitus letalis).


Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe ka bërë me dije se po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

"KORCA BOOM"


bottom of page