I riu paraqitet me plagë në spitalin e Korçës, denoncon: Më dhunoi policia greke!
- 2 hours ago
- 1 min read
Mbrëmjen e djeshme, një 29-vjeçar është paraqitur në urgjencën e spitalit të Korçës me dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga policia, mësohet se i riu është dhunuar rreth 13 ditë më parë në qytetin e Kalkidhës, në Greqi, nga efektivë të policisë greke.
Burime bëjnë me dije se 29-vjeçari, banues në Maliq, është ndaluar dhe më pas dhunuar, pasi është ngatërruar si autor i një vepre penale. Pas verifikimeve të kryera nga autoritetet greke, ai ka rezultuar i pafajshëm.
I riu, i identifikuar si Maldin Maxhari, ka bërë kallëzim pranë policisë greke për dhunën e ushtruar ndaj tij. Më pas, ai është dëbuar nga territori grek dhe është kthyer në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe dëmtimeve të marra, ai është paraqitur në spitalin e Korçës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Dyshohet se 29-vjeçari ka pësuar dëmtime në brinjë dhe në shpretkë.
Ndërkohë, policia e juglindjes ka marrë deklarimet e të riut, ndërsa pritet të përcaktohen procedurat që do të ndiqen më tej, duke qenë se ngjarja ka ndodhur jashtë territorit shqiptar.
“KORÇA BOOM”
















