top of page

Incident në Eurovision, delegacioni serb ‘përplaset’ me atë shqiptar për flamurin e Kosovës

  • 1 day ago
  • 1 min read

Një anëtare e delegacionit serb tentoi të ndalonte valëvitjen e flamurit gjatë performancës së Alis Kallaçit në finalen e Eurovisionit


Një incident u shënua në Qendrën e Mediave të festivalit Eurovision, që këtë vit u zhvillua në Vjenë, gjatë transmetimit të performancës së këngëtarit shqiptar Alis Kallaçi me këngën “Nân”.


Ngjarja ka ndodhur në sallën ku gazetarë, delegacione dhe ekipe televizive po ndiqnin finalen e festivalit. Sipas Albert Limanit nga Eurovision Kosova, një anëtare e delegacionit të Serbisë ka reaguar ndaj valëvitjes së flamurit të Kosovës gjatë performancës së Shqipërisë.


Limani, i cili ndodhej në qendrën mediatike bashkë me ekipin e RTK-së dhe përfaqësues të tjerë shqiptarë, ka treguar se situata u krijua në momentin kur po festonin paraqitjen e Alis Kallaçit në skenën e Eurovisionit.


Sipas tij, gruaja nga delegacioni serb iu afrua grupit dhe kërkoi largimin e flamurit të Kosovës, duke pretenduar se ai nuk lejohej në ambientet e festivalit. Ai ka bërë të ditur se ajo tentoi ta prekte flamurin, por nuk arriti ta largonte.


Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Limani ka deklaruar se flamuri i Kosovës do të vazhdojë të valojë në çdo aktivitet ku marrin pjesë shqiptarët dhe se nuk do të lejohet pengimi i shfaqjes së tij.


Ai ka publikuar edhe një video nga momenti i incidentit në Qendrën e Mediave në Vjenë.


Ndërkohë, Alis Kallaçi u ngjit i pesti në skenën e finales së Eurovisionit me këngën “Nân”.


Kënga është një baladë që trajton raportin mes nënës dhe fëmijës dhe ishte një nga performancat e mbrëmjes që u ndoq me interes nga publiku shqiptar./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page