Ish-deputeti Murrizi: Kandidatët jopolitikë nuk përfaqësojnë demokratët, PD të zgjedhë nga vetja
- Korca Boom
- Oct 2, 2025
- 1 min read
Ish‑deputeti demokrat Myslim Murrizi ishte i ftuar sot në emisionin “Breaking” në Top News, ku foli rreth zgjedhjeve që pritet të mbahen në Tiranë dhe pesë bashki të tjera.
Murrizi u shpreh se Jorida Tabaku është kandidateja e duhur që PD duhet të zgjedhë përballë Ogerta Manastirliut, duke e vlerësuar si “demokratja më e votuar” në zgjedhjet e kaluara. Ai tha se edhe nëse ajo nuk e pranon pozicionin, duhet të “detyrohet për t’u shërbyer demokratëve”.
“Më duhet që kandidate për Tiranën të jetë Jorida Tabaku. Ajo është demokratja më e votuar. Edhe nëse nuk do, duhet të detyrohet të shërbejë demokratëve. Nuk bëhet me kandidat jo politik,” tha Murrizi.
Ai shtoi: “Nëse këta nuk duan kandidat politik, të na thonë arsyen, sepse duhet të jepet llogari. Mendoj se është interesi i tyre personal. Kandidati duhet të jetë një person që e njohin demokratët dhe që ka histori brenda demokratëve.”
“Një kandidat jopolitik nuk do ta votoj kurrë unë dhe as mbështetësit tanë. PD ka plot emra që mund t’i vendosë si kandidatë — kanë histori brenda PD-së, janë ish‑studentë të Dhjetorit,” tha Murrizi.
Në përfundim, ndonëse zgjedhjet janë të afërta dhe debati për kandidatin për Tiranën ngrihet me forcë, Murrizi theksoi se përmasa politike dhe mbështetja brenda radhëve të PD-së duhet të jenë kriterët udhëzues.
“KORÇA BOOM”



















