Ankesë e fortë në FSHF: Ndeshja Korça–Fieri nën akuzë për padrejtësi arbitrare
- Apr 29
- 2 min read
Drejtuar: Federatës Shqiptare të Futbollit
Lënda: Kërkesë për hetim disiplinor dhe rishikim të rezultatit – ndeshja Fieri-Korça
Të nderuar:
Nëpërmjet këtij relacioni paraqesim një ankesë zyrtare lidhur me ndeshjen ndërmjet ekipeve të shkollave të mesme Korçë – Fier, zhvilluar më datë 29 prill 2026 në Fier.
Gjatë zhvillimit të kësaj ndeshjeje janë evidentuar disa vendime të diskutueshme dhe të njëanshme nga ana e trupës së arbitrimit, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë dhe rezultatin përfundimtar të takimit. Konkretisht:
Vendime të përsëritura të kontestuara në momente vendimtare të ndeshjes, në dëm të ekipit të Korçës;
Penalizime të pashpjegueshme që kanë krijuar disavantazh të vazhdueshëm për ekipin tonë.
Këto situata kanë sjellë dëm të konsiderueshëm sportiv dhe kanë ngritur dyshime serioze mbi paanshmërinë e gjykimit, duke bërë që ndeshja të mos zhvillohet në kushte të barabarta dhe të drejta për të dy ekipet.
Në këto rrethana, kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit:
Hapjen e një hetimi disiplinor të plotë ndaj trupës së arbitrimit;
Analizimin e detajuar të të gjitha momenteve kyçe të ndeshjes;
Marrjen e masave përkatëse në rast konstatimi të shkeljeve;
Rishikimin e rezultatit përfundimtar dhe, nëse vërtetohen parregullsitë, përsëritjen e ndeshjes në kushte të drejta sportive.
Vlerësojmë se ndërhyrja juaj është thelbësore për ruajtjen e integritetit të garës dhe për forcimin e besimit të sportistëve të rinj në drejtësinë sportive.
Raste konkrete të kontestuara:
Ndër vendimet e shumta të diskutueshme, veçojmë dy momente kryesore:
Anulimi i një goli të rregullt
Pas një aksioni të rregullt, topi rikthehet nga rivënia fundore e portierit korçar, përplaset me shtyllën dhe më pas preket nga portieri i ekipit kundërshtar. Sulmuesi korçar përfiton nga situata dhe shënon gol, por çuditërisht gjyqtari e anulon për pozicion jashtë loje.
Momenti i golit të barazimit
Një mbrojtës i ekipit të Korçës pëson dëmtim dhe kërkon ndihmë mjekësore. Lojtarët dhe stafet futen në fushë për të asistuar, ndërsa loja ishte e ndërprerë. Pavarësisht kësaj situate dhe pa sinjalizim të qartë për rifillim, loja vazhdoi dhe në këtë moment u shënua goli i barazimit nga ekipi i Fierit.
Në këtë rast, prioritet duhej të ishte shëndeti i lojtarit të dëmtuar, i cili ndodhej i shtrirë në fushë duke pritur ndihmë mjekësore.
Një situatë e tillë është e papranueshme, veçanërisht në nivele të moshave të reja, ku sporti duhet të shërbejë si edukim për ndershmëri, respekt dhe përgjegjësi.
Presim një reagim konkret dhe transparent nga ana juaj.
“KORÇA BOOM”
















