Mesazhi i fortë i ikonës së gjimnastikës Petrika Konomi për të ardhmen e sportit
- 1 hour ago
- 3 min read
Problemet në sport nuk janë të reja. Ato janë shqetësime të hershme që lidhen me nivelin dhe zhvillimin e sportit, dhe që diskutohen shpesh nga sportistë, ish-sportistë, mësues, trajnerë të rinj e të vjetër, si dhe nga sportdashës e amatorë.
Vizita e Valter Metes në qytetin tonë, shumë herë kampion kombëtar në gjimnastikë, mjeshtër i merituar sporti dhe qytetar nderi i Korçës, riktheu në vëmendje këto diskutime.
Kjo ndodhi në një moment kur qeveria ka iniciuar një aktivitet të rëndësishëm mbi zhvillimet në vend, duke ftuar për dialog edhe përfaqësues të diasporës. Vali nuk erdhi si i ftuar, por si një i malluar, për t’u çmallur me familjen dhe shoqërinë, por njëkohësisht edhe për të ndarë mendime e për të dhënë kontribut mbi një shqetësim që e ndjek edhe larg, në Amerikë.
Një kombinim i tillë – qeveria, diaspora, të ftuarit dhe një i malluar që sjell përvojën e tij – krijon një mundësi të rrallë që duhet shfrytëzuar.
Valteri sjell me vete një përvojë të gjatë sportive, të ndërtuar mbi vite pune, sakrifice dhe suksese të njëpasnjëshme. Kujtimet e garave dhe titujve kampionë krijojnë një histori të veçantë, që e vendos atë në një nivel të lartë mes emrave të gjimnastikës shqiptare, krahas sportistëve të njohur të kohës së tij, të cilët gjithashtu kontribuan në ngritjen e këtij sporti.
Mes tyre, figura si Tiku, Kiçi, Ligori, Vlashi, Iliri, Begatori e të tjerë mjeshtra të mëdhenj, kanë lënë gjurmë në një periudhë kur gjimnastika shqiptare arriti nivele të larta sportive dhe artistike. Ishin vite pune intensive, përkushtimi dhe arritjesh të merituara.
Në këtë kujtesë sportive, nuk mungojnë as momentet njerëzore dhe humoristike, si porositë e Ismet Bellovës: “Kujdes nga stërngarkesa muskulare, Valter, ruaje qafën!”, pas një fitoreje të jashtëzakonshme me shtatë medalje të varura në qafë, një ngarkesë simbolike dhe fizike njëkohësisht.
Valteri përfaqëson një rrugëtim të plotë sportiv: nga nxënës, student, mësues e trajner, deri në emigracion, pa e ndërprerë kurrë lidhjen me sportin. Nuk është e lehtë të fitosh statusin e “i lavdishëm”, një vlerësim që vjen vetëm kur çdo element i sportit është ekzekutuar në mënyrë perfekte.
Në bisedat e përditshme, rikthehet shpesh edhe shqetësimi për gjendjen e sotme të gjimnastikës. Si ka mundësi kjo heshtje, kjo mungesë vëmendjeje, kjo braktisje?
Pavarësisht vështirësive të kohës, mungesa e vazhdimësisë dhe e mbështetjes mbetet një plagë e hapur.
Sporti ka fuqi të madhe në shoqëri. Një sukses i kombëtares në futboll sjell entuziazëm, krenari dhe optimizëm. Ai krijon modele, frymëzon të rinjtë dhe i ndihmon ata të ndërtojnë ëndrra e objektiva. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me brezat e sportistëve të gjimnastikës, që u rritën duke ndjekur idhujt e tyre sportivë.
Ky nuk është thjesht moral, por realitet. Një realitet që, nëse mohohet, dëmton sidomos të rinjtë dhe zhvillimin e sportit.
Këtë shqetësim e ndajnë shumë emra të njohur: Valteri në Amerikë, Nesti, Koço, Gjergji, Kiçi në Barcelonë dhe të tjerë. Edhe në një bisedë telefonike të fundit, Tiku shprehte të njëjtin shqetësim për gjendjen e sportit.
Në diasporë ka shumë sportistë dhe trajnerë që vazhdojnë të jenë aktivë dhe të arrijnë rezultate të kënaqshme. Vetë Valteri dhe ekipi i tij kanë marrë pjesë në gara kombëtare të niveleve të larta dhe janë renditur me rezultate shumë të mira, duke marrë vlerësime dhe madje edhe propozime për role drejtuese.
Këto janë dëshmi konkrete të nivelit profesional dhe pedagogjik të sportistëve dhe trajnerëve shqiptarë, që nuk mungojnë as jashtë vendit.
Diçka duhet bërë. Përvoja, idetë dhe propozimet e tyre duhet të mblidhen në një platformë gjithëpërfshirëse, ndoshta në formën e një reforme që të garantojë zhvillimin e sportit sipas pasionit, aftësive dhe mundësive fizike e fiziologjike, duke nxitur jo vetëm performancën, por edhe jetën sociale dhe edukative të të rinjve.
Gjithçka nisi nga një bisedë mbi gjimnastikën dhe u shndërrua në një reflektim më të gjerë për sportin në tërësi – një debat që, si shumë të tjerë, shpesh lind në mënyrë të rastësishme, por që mbetet thelbësor për të ardhmen.
“KORÇA BOOM”
















