Kurbinasit e kanë ndarë mendjen, gjithçka për gjithçka. Laçi sfidon Skënderbeun: Vijmë vetëm për titullin në Korçë
- 1 hour ago
- 2 min read
Skënderbeu-Laçi do të jetë sfida që do të mbyllë sezonin e rregullt të edicionit 2025-2026 në Kategorinë e Parë, një përballje që tashmë ka marrë vlerat e një finaleje të vërtetë për titullin kampion. Ndryshe nga të gjitha ndeshjet e tjera të javës së 33-të, kjo ndeshje është programuar të luhet më 4 maj, ditën e hënë, në orën 17:00, në stadiumin e qytetit të Korçës.
Vendimi i sektorit të garave në FSHF për ta spostuar këtë duel në një ditë dhe orar të veçantë nuk është rastësor. Kjo përballje nuk ndikon në verdiktet e skuadrave të tjera, pasi gjithçka është vendosur për sa i përket ngjitjes në elitë. Megjithatë, ajo që mbetet ende e hapur është çështja e titullit kampion, me Skënderbeun dhe Laçin që do ta vendosin mes tyre skuadrën që do ta mbyllë sezonin në vendin e parë. Kjo e bën ndeshjen një “finale” të drejtpërdrejtë, ku vëmendja e opinionit sportiv pritet të jetë maksimale. Skënderbeu hyn në këtë takim me një avantazh të lehtë, por tepër të rëndësishëm: korçarëve u mjafton edhe barazimi për të siguruar titullin kampion, ndërsa Laçi është i detyruar të fitojë për të kaluar në krye dhe për të rrëmbyer vendin e parë në javën e fundit.
Kurbinasit shkojnë në Korçë me moral të lartë dhe me besim të plotë se mund ta përmbysin situatën. Skuadra e drejtuar nga trajneri Naxhi Shensoj pritet të luajë gjithçka për gjithçka në këtë përballje, pa kursyer asnjë forcë, pasi vetëm fitorja i shpall kampionë. Në anën tjetër, Skënderbeu i trajnerit Ernest Gjoka do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë dhe avantazhin psikologjik për të vulosur vendin e parë dhe për të kurorëzuar me titull rikthimin në elitë.
KURBINASIT
Atmosfera e kësaj sfide është ndezur edhe më shumë nga mesazhet e publikuara nga Laçi në faqen zyrtare të klubit. Në postimin e fundit, bardhezinjtë kanë bërë të qartë objektivin e tyre për këtë ndeshje, duke publikuar posterin e takimit me mbishkrimin “Për titullin”, ndërsa postimi është shoqëruar me frazën në anglisht: “All or nothing”, një mesazh i fortë që tregon qartë ambicien e kurbinasve për të mos u kthyer nga Korça pa trofeun. Kjo sfidë ka edhe simbolikën e saj të veçantë: të dy skuadrat ranë sezonin e kaluar nga Kategoria Superiore, por arritën të sigurojnë rikthimin e menjëhershëm në elitë dy javë para fundit. Tani, mbetet vetëm të përcaktohet se kush do ta shoqërojë këtë rikthim me statusin e kampionit të Kategorisë së Parë.
Diferenca mes dy skuadrave është minimale. Skënderbeu kryeson me 77 pikë, vetëm një më shumë se Laçi që ka 76. Kjo e bën përballjen e Korçës një duel dramatik dhe vendimtar, ku një ndeshje e vetme do të përcaktojë fituesin e sezonit. Në Korçë pritet një atmosferë elektrizuese, me tifozët që do të jenë dëshmitarë të një beteje të fortë mes dy skuadrave me histori dhe pretendime të mëdha. Gjithçka është gati për aktin final: Skënderbeu kërkon të mbrojë kreun dhe të festojë titullin para publikut të tij, ndërsa Laçi synon goditjen e madhe në transfertë për të rrëmbyer kurorën në momentin e fundit /PANORAMASPORT.AL
“KORÇA BOOM”













