top of page

Ishim 16 shqiptarë të uritur në Itali: Enrik Lipe sjell pas 35 vitesh prapaskenat e padëgjuara të Partizanit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Oct 10
  • 2 min read

 Partizani i fundit të viteve ’80, ku ende dominonin Gaz Caci dhe Pjerin Bushati – dy nga legjendat e një Partizani edhe më të lavdishëm. Në qendër, me bluzë të kuqe, është Pirro Leka (sot trajner në Serinë A në Itali). Pas tij: Arjan Bacova, Sopoti, Pjerini, Tan Kuqo, Arjan Skënderi (Labi), Enrik Lipe (Riku). Përpara Piros është Auron Tare, dhe para meje – Gaz Caci. Piro Papa duket që vjen me vrap. Trajner: i paharruari Astrit Greva.


Ky ekip përfaqëson fundin e një epoke për basketbollin shqiptar – një fund i lavdishëm. Shqipëria asokohe ishte një emër i njohur në basketbollin europian, me fitore e përballje të denja ndaj emrave të mëdhenj si Banko di Roma, Aris Selanik, Ortez (Francë) e të tjerë.

Për mua, ajo ishte dalja e parë në Perëndim. Qëndrimi në Pesaro për dy ose tri ditë ishte një lloj ëndrre e turbullt. Më kujtohen disa detaje të veçanta – disa ish-partizanë të Luftës së Dytë Botërore që kërkonin yje të kuq, një çudi më vete që nuk arrinim ta kuptonim. Kur hymë në fushë, spektatorët tregonin me gisht atletet tona kineze – duket se nuk kishin parë ndonjëherë të tilla.


Dalja në grup nuk lejohej – gjithmonë së bashku. Mblodhëm nga 2 dollarë për person për Shefin e Sigurimit, i cili kishte ardhur pa asgjë dhe nuk mund të kthehej duarbosh.

Por ajo që më ka mbetur gjithmonë në mendje, dhe që është treguar më pas e ritreguar në rrethet sportive, përfshirë edhe te Dinamo, ku rrëfimtari më i mirë i asaj skuadre, Rama, e rrëfente gjithmonë me kënaqësi të madhe, është historia e makaronave.


Pasi mbërritëm në Pesaro, pas një udhëtimi të lodhshëm por të paharrueshëm për ne, u strehuam në hotelin e Scavolinit. Pronari, një zotëri i shkurtër me mustaqe, na takoi me shumë dashamirësi dhe kuriozitet. U shtruam të hanim në një tavolinë të përbashkët. Kurioziteti ynë ishte: të hanim makarona italiane.


Duhet ta themi – ne i njihnim vetëm nga reklamat italiane, që i kapnim fshehurazi gjatë verës, në stacionet televizive të jugut. Makaronat që kishim parë ne, ishin ato të ushtrisë – të zeza, me gjalpë të djegur. Prandaj prisnim me padurim të shihnim ç’kishin këto makarona “origjinale”.


Pirro Leka, që fliste pak italisht, u shpjegoi kamarierëve se donim vetëm makarona, asgjë tjetër. Dhe ato filluan të vinin – pjata të mëdha me makarona të çdo lloji, të shoqëruara me emrat e tyre: bolonjeze, napolitane, kalabreze...

Gjithsej ishim 16 djem të uritur, pa asnjë ide për kuzhinën italiane, dhe për disa minuta boshatisnim çdo pjatë që vinte me një shpejtësi të frikshme. Kuzhinieri, i habitur, doli vetë të shihte ç’po ndodhte. Pas çdo pjate vinte një tjetër me një emër të ri.

Pas një kohe të gjatë, të gjithë u dorëzuam. Bëmë me shenjë se nuk donim më, ishim ngopur.


Pronari i hotelit erdhi sërish buzagaz dhe me shumë mirësjellje na pyeti: “A dëshironi një digestivo?”

Ne, që menduam se ishte ndonjë lloj tjetër makarone, bëmë shenjë refuzuese – nuk na hynte më asnjë në bark.

Në atë moment, një nga ne, me një lloj faji dhe ngurrimi, ngriti dorën dhe tha:

“A e ndryshon dot... të na i bësh bolonjeze? Nëse po, sille edhe atë!”

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page