Iu shiste doza kanabisi adoleshentëve, arrestohet 22-vjeçari
- 4 hours ago
- 1 min read
Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”.
Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike tek adoleshentët.
Kapet në flagrancë, në tentativë për të shitur doza kanabisi, vihet në pranga 22-vjeçari.
Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një shumë parash.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas disa ditësh hetimesh në terren, kanë siguruar informacion për një shtetas që shiste lëndë narkotike kanabis adoleshentëve.
Në vijim, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Siguria”, për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë në lagjen “Nazmi Rushiti”, dhe arrestuan shtetasin L.K., 22 vjeç, banues në Peshkopi, në tentativë për të shitur doza kanabisi.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza, gati për shitje, si dhe një shumë parash, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
"KORÇA BOOM"
















