Ja dhjetë bashkitë që mund të shkrihen nga Harta e re territoriale
top of page

Ja dhjetë bashkitë që mund të shkrihen nga Harta e re territoriale

  • 13 hours ago
  • 2 min read

Harta territoriale e Shqipërisë pritet të pësojë ndryshime të reja, me synimin që në zgjedhjet vendore të vitit 2027 vendi të mos ketë më shumë se 50 bashki.


Nisma po udhëhiqet nga Partia Socialiste, e cila synon të përfundojë reformën territoriale edhe pa një konsensus me opozitën, në rast se nuk arrihet një marrëveshje politike mes palëve.


Analiza e ekspertëve të angazhuar nga mazhoranca ka evidentuar 14 bashki që konsiderohen më të ekspozuara ndaj një procesi bashkimi. Vlerësimi është bërë duke u bazuar në disa tregues kryesorë, përfshirë zhvillimin ekonomik, kapacitetet financiare, funksionalitetin e njësive vendore dhe të dhënat demografike.


Ndryshimet e mundshme pritet të prekin kryesisht disa qarqe, ndër të cilat Gjirokastra, Berati, Elbasani, Shkodra dhe Fieri. Në diskutim mbetet edhe struktura territoriale e Tiranës, ku mund të shqyrtohen ndryshime të mëtejshme.


Raporti i përgatitur për këtë reformë parashikon gjithashtu një trajtim të veçantë për tre bashki me status minoritar. Edhe pse këto njësi rezultojnë me tregues të dobët ekonomikë dhe financiarë, ekspertët argumentojnë se ato nuk duhet të preken nga bashkimet territoriale për shkak të rëndësisë së tyre historike, kulturore, ruajtjes së identitetit të pakicave kombëtare dhe kërkesave të shprehura gjatë dëgjesave publike.


Dokumenti thekson gjithashtu se jo çdo problem i pushtetit vendor mund të zgjidhet vetëm përmes ndryshimit të kufijve administrativë.


Si shembuj përmenden bashkitë Tropojë, Fushë-Arrëz dhe Himarë, ku vështirësitë kryesore lidhen më shumë me shtrirjen gjeografike, distancat e mëdha dhe aksesin e qytetarëve ndaj shërbimeve publike, sesa me mënyrën e organizimit territorial.


Mazhoranca i ka lënë opozitës afat deri më 23 korrik për t’u përfshirë në procesin e diskutimit dhe hartimit të reformës. Në rast se nuk arrihet një përfshirje e përbashkët, Partia Socialiste synon që ta çojë reformën për miratim në Kuvend në fillim të muajit tetor, duke u mbështetur te shumica e nevojshme prej 84 votash për miratimin e ndryshimeve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page