top of page

“Jashtëzakonisht shqetësues”/ Shpërthen reagimi pas vendimit të Gjykatës së Lartë për Veliajn

5 days ago
2 min read

Reagim i fortë pas vendimit të Gjykatës së Lartë: “Çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese?”

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë ka shkaktuar një reagim të fortë lidhur me çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.


Vendimi është cilësuar si një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe demokracinë në vend.


Sipas reagimit, duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar më herët nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë ka ngritur pikëpyetje mbi efektin detyrues të vendimeve të autoritetit më të lartë kushtetues të vendit.


“Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht?”, thuhet në reagim.


Më tej, në deklaratë argumentohet se kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit.


Sipas reagimit, pasojat shkojnë përtej një procesi individual, pasi lidhen edhe me ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë.


Në deklaratë thuhet se prej 19 muajsh qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur.


Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndërsa në reagim thuhet se hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim.


“E gjithë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar, por për ta vijuar betejën”, thuhet më tej.


Në reagim argumentohet gjithashtu se Erion Veliaj mund të izolohet dhe t’i kufizohet mundësia për të folur, por nuk mund të mundet politikisht përmes vendimeve gjyqësore.


“Një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes ‘lawfare’-it”, thuhet në deklaratë.


Në përfundim bëhet e ditur se do të përdoret çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.


“Shqipëria meriton një drejtësi të standardeve evropiane, e cila garanton të drejtat, respekton vendimet kushtetuese dhe mbron demokracinë, mjetin më të lartë që qytetarët kanë në dorë për të vendosur se kush i përfaqëson dhe kush e drejton vendin”, përfundon reagimi.

“KORÇA BOOM”


bottom of page