top of page

KAS i heq mandatin kushërirës së Adriatik Lapaj, ja kush shkon në Parlament

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 days ago
  • 1 min read

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka pranuar pjesërisht kërkesën e koalicionit “Shqipëria Bëhet” për të kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili i dha mandatin Kleana Xhuvelit në qarkun e Tiranës.


Pas shqyrtimit të ankimimit, KAS vendosi që mandati t’i kalojë Ana Dajkos, 60-vjeçares që është nëna e anëtarit të kryesisë së lëvizjes, Vasil Dajko, dhe kushërira e Adriatik Lapajt.


Çështja u shqyrtua në një seancë të tensionuar, ku relator ishte Elvis Çefa. Debati u përqendrua te vlefshmëria e dorëheqjeve të kandidatëve nga lista e mbyllur, të cilat ishin dorëzuar më datë 11 maj, pas nisjes së procesit të votimit.


Anëtari i KAS, Ilir Rusmajli, ngriti pikëpyetje mbi legjitimitetin moral të këtij veprimi, duke e konsideruar si një formë pabesie ndaj elektoratit: “Dorëheqja u bë pasi nisi procesi i votimit. Zgjedhësit nuk patën mundësinë të reflektonin mbi këtë akt. A nuk është kjo një pabesi ndaj votuesit?”, tha ai.


Përfaqësuesi i “Shqipëria Bëhet” kundërshtoi këtë interpretim, duke e quajtur dorëheqjen një vendim individual të çdo kandidati dhe jo përgjegjësi e subjektit. Megjithatë, KAS e cilësoi të pavlefshëm aktin e dorëheqjes së kandidatëve, duke argumentuar se “në kuptim të ligjit, ai është nul dhe nuk mund të sjellë pasoja juridike”.


Sipas vendimit përfundimtar, KAS e konsideroi të pavlefshme revokimin e dorëheqjes së Kleana Xhuvelit dhe njohu si përfituese të mandatit Ana Dajkon, e cila vjen nga radhët e listës së hapur.


Ky zhvillim pritet të shtojë tensionet brenda koalicionit opozitar, ndërsa përforcon rolin e strukturave të “Shqipëria Bëhet” në përfaqësimin parlamentar.


“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page