Kisha e “Shën Gjergjit” në Shipskë, monument i rrallë i trashëgimisë fetare e kulturore
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore është kisha e “Shën Gjergjit” në Shipskë (qarku i Korçës).
Ajo gjendet në hyrje të fshatit, rreth 25 km nga Korça dhe 5 km nga Voskopoja. Kjo kishë është Monument Kulture i Kategorisë I. “Shën Gjergji” i Shipskës është ngritur në shekullin e 17-të dhe i përket grupit të bazilikave të Voskopojës. Kjo është bazilikë trenefshe me sistem mbulimi të përbërë prej qemerësh, kupolash dhe harqesh.
Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë janë duke i kushtuar vëmendje të veçantë kësaj kishe, e cila aktualisht po i nënshtrohet riparimit të çatisë.
Punimet po kryen nga ekipi i DRTK Korçë për të siguruar ruajtjen dhe mirëmbajtjen e mëtejshme të monumentit. Njëkohësisht po kryhet edhe pastrimi i territorit përreth kishës, e cila është një objekt i preferuar nga vizitorët e kësaj zone.
Kisha e Shën Gjergjit është pikturuar në shek. XVII. Një ambient në anën jugore të kishës i është kushtuar Shën Naumit, por kjo është një shtesë e mevonshme.
Shën Gjergji është një nga shenjtorët që nderohet e kremtohet më shumë edhe në vendin tonë, ku i janë kushtuar një numër i madh kishash anembanë vendit. Legjenda thotë se Shën Gjergji ka lindur në Kapadokia të Azi, në gjysmën e dytë të shekullit III, rreth viteve 275-385 dhe është martirizuar në Palestinë.
Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi dragoin, e cila në përfytyrimin popullor simbolizonte fitoren e kristianizmit mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj në ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës kreshnik që ndeshet dhe mund dragoin./ Oranews
“KORÇA BOOM”



















